Sot në sallën e parlamentit ukrainas u ngrit për herë të parë flamuri i Bashkimit Evropian, pasi Ukraina u bë kandidate për anëtarësim në bllok.

Videoja e këtij akti simbolik është publikuar nga kreu i delegacionit të BE-së në Ukrainë, Matti Maasikas.

Ukraina ka një perspektivë të qartë evropiane, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një fjalim para parlamentit ukrainas.

“Ukraina tani ka një perspektivë shumë të qartë evropiane. Ukraina është një vend kandidat për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, gjë që vetëm pesë muaj më parë dukej pothuajse e paimagjinueshme”, tha Von der Leyen në një fjalim përmes video-lidhjes.

Kjo përfaqëson fitoren e lëvizjes që filloi tetë vjet më parë në Maidan, shtoi Von der Leyen.

Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se rruga e Ukrainës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk duhet “të marrë vite apo dekada” dhe u zotua se do ta bëjë pjesën e vetë të procesit “të përsosur”.

“Sot, së bashku me Kryetarin e Rada Verkhovna të Ukrainës dhe kryeministrin, ne po nënshkruajmë një deklaratë të përbashkët, e cila është një sinjal i unitetit të të gjitha degëve të qeverisë dhe dëshmi e vendosmërisë sonë për të arritur qëllimin strategjik të Ukrainës për anëtarësim të plotë në Bashkimi Evropiane. Dhe nënshkrimi i kësaj deklarate duhet të nënkuptojë njësoj si nënshkrimin e një kërkese për anëtarësim në ditën e pestë të luftës”, pohoi ai.

“115 ditë shkuam në kandidim. Dhe rruga jonë drejt anëtarësimit nuk duhet të zgjasë vite apo dekada. Duhet ta kapërcejmë shpejt këtë rrugë. Bëjeni pjesën tonë të punës perfekte. Për t’u mundësuar miqve tanë në Bashkimin Evropian që të marrin një tjetër vendim historik për ne po aq shpejt dhe në mënyrë të konsoliduar”, përfundoi Zelensky.

Ndryshe, Ukraina ditë më parë ka marrë statusin e kandidatit për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian. /Telegrafi/