Flamuri i Kosovës dhe ai kombëtar valojnë në majën e “Mont Blanc” (Foto/Video)

Prej tyre tri kanë qenë femra. E qëllimi kryesor i kësaj ekspedite ka qenë që të ndihmohen femrat që të pushtojnë këtë majë. Atje është vendosur flamuri i Kosovës ai i Shqipërisë, si dhe flamur i komunës së Prishtinës.
Këta dy të fundit i ka ngritur drejtori i Drejtorisë së Urbanizimit në Komunën e Prishtinë, Librun Aliu, i cili ka postuar në Facebook fotografitë.
Gjashtë muaj përgatitje kanë bërë për këtë aventurë grupi Alpin “Prishtina”. Kryetari i këtij klubi, Nazmi Hasanramaj, ka treguar për portalin Koha.net, nga Franca, për eksperiencën në ngjitjen historike.
“Qëllimi i ekspeditës ishte pushtimi në mënyrë të organizuar i majës së ‘Mont Blanc’, si dhe përkrahja e femrave që të arrijnë këtë gjë”, ka thënë Hasanramaj.
Ai ka treguar se gjashtë muaj përgatitje për këtë aventurë kanë qenë të mjaftueshme për të përballuar pengesat e këtij rrugëtimi të vështirë.
“I kemi ditur paraprakisht pengesat eventuale dhe kemi qenë të përgatitur për to. Kemi bërë 6 muaj stërvitje kryesisht fizike dhe teknike. Për fat të mirë koha na ka përkrah në këtë ecje”, ka thënë Hasanramaj.
Flutura Ibrahimi, që bashkë me Arineta Mulan dhe Afërdita Tahiri bëhet tri femrat e para të Kosovës që pushtojnë këtë majë, ka treguar për Koha.net eksperiencën e saj.
“Ka qenë shumë e vështirë ecja me pesha deri në 15 kilogramë. Ecje nëpër borë e në frymë të ftohtë në një lartësi të madhe mbidetare ka qenë e vështirë”, ka përshkruar ajo. “E gjitha kjo, pa e ditur se si do të reagojë organizmi ynë ndaj kësaj ecje”, ka thënë Ibrahimi, në një prononcim përmes telefonit.
Ajo ka falënderuar klubin Alpin “Prishtina” për përkrahjen, ndërsa ka treguar për ndjenjën që e ka pasur me të mbërritur në majë.
“Në majë jam ndjerë njeriu më i lumtur në botë. Për mua është një ëndërr e realizuar”, ka thënë ajo.
Në fakt, pushtimi i majës “Mont Blanc” – që me 4.810 metra është maja më e lartë në Evropë, e cila ndodhet mes Francës dhe Italisë – është ëndërr për secilin alpinist.






















































