Site icon Telegrafi

‘Fituesi’ i integruar

Sporti kosovar i ka hapur dyert për të gjitha minoritetet. Krahas serbëve, si minoriteti më i madh në vend, në sportin e këtushëm kryejnë aktivitete edhe komunitetet tjera.

Për shembull, në afërsi të Ferizajt ekziston klubi i karatesë “Fituesi”, i cili i përket komunitetit ashkali. Këtë klub e kishte themeluar drejtori gjeneral aktual, Rexhep Bajrami.

Në një bisedë me “Zërin”, kampioni i dikurshëm i ish-Jugosllavisë, tregon se e ka themeluar klubin në vitin 1989, në periudhën kur sporti kosovar u nda dhe u pavarësua nga ai i ish-Jugosllavisë.

Ai e konsideron “Fituesin” si klub multietnik, duke shpjeguar se 30 për qind janë ashkalinj, e të tjerët u përkasin minoriteteve tjera, por që ka edhe shumë shqiptarë.

“Pasi u prish situata, ne u ndamë nga ish-Jugosllavia dhe nuk garuam më me ta. Prandaj, vendosëm ta hapnim klubin tonë, kah vitet e 90-ta. Unë jam mjeshtër i shkallës së pestë, ndërsa tre djemtë e mi, dy prej të cilëve janë mjeshtër, i ushtrojnë 40 nxënësit apo garuesit që i kemi. Kemi garues ashkalinj, por edhe shqiptarë. Ka garues meshkuj dhe femra”, rrëfen fillimisht Bajrami për gazetën Zëri.

Ushtrojnë në shtëpi!

Bajrami tregon se klubi “Fituesi” ushtron në një sallë të improvizuar, e cila realisht do të duhej të ishte një dhomë shtëpie. Për këtë, ai shpreson që klubi i tij të mbështetet dhe t’i gjendet një zgjidhje, për t’iu shmangur më të keqes – shuarjes.

“Ne ushtrojmë në një shtëpi të improvizuar, pasi nuk kemi sallë. Selinë e kemi në lagjen e Sallahanes, në afërsi të Ferizajt. Ne kemi mbështetje nga Komuna dhe Ministria e Sportit, por nevojitet mbështetje edhe më e madhe, pasi nuk kemi sallë. Tash jemi zgjeruar familja e jonë dhe kemi nevojë për më shumë dhoma, kështu që, nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje për sallë të re, do të detyrohemi ta shuajmë klubin. Në sallën aktuale në Ferizaj nuk ka termine të lira”, ankohet “bossi” i klubit.

Sporti na bashkon

Bajrami ndër të tjera u ka bërë thirrje të gjitha komuniteteve në Kosovë që të integrohen. E për ta bërë këtë, ai insiston se sporti, por edhe shkollimi, është rruga më e lehtë.

“I ftoj të gjitha komunitetet që të merren me sport, pasi sporti, cilido qoftë ai, i bashkon komunitetet. Po ashtu edhe shkolla. Prandaj, duhet të integroheni. Ne ndihemi si një familje me të gjithë”, shprehet Bajrami.

Sipas tij, sportistët e “Fituesit” ia kalojnë gjithmonë mirë, edhe pse, aty këtu, qëllon ndonjë sportist që i ngacmon.

“Kryesisht na presin mjaft mirë. Ne garojmë në ligat e Kosovës dhe jemi një klub mjaft i mirë. Ngacmime ka, kjo është normale, por nuk ka shumë, që do të na bënte për t’u shqetësuar. Në përgjithësi jemi mjaft mirë të integruar”, përfundoi 50-vjeçari.

Krahas “Fituesit”, në Kosovë ekzistojnë edhe disa klube dhe sportistë të komunitetit rom, ashkali e egjiptian, të cilët kanë ditur të integrohen dhe kryesisht nuk kanë probleme me minoritetet apo pakicat tjera, por as me shqiptarët, si pjesa dërrmuese e popullatës në vend. /Zëri/
 

Exit mobile version