E plotësuar: Pas takimit që kanë zhvilluar me kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj, protestuesit janë shpërndarë në mënyrë të qetë.
Ndërkaq nuk kanë bërë të ditur nëse do të ketë protesta të sërishme nga ana e tyre.
Kryeministri u ka premtuar takim me përfaqësuesit e familjarëve të të dënuarve të Grupit “Kumanova”. /Telegrafi/
Haradinaj i drejtohet protestuesve, kërkon hetim ndërkombëtar për rastin “Kumanova”
E plotësuar: Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj u është drejtuar protestuesve, të cilët po kundërshtojnë vendimin e Gjykatës në Maqedoni për dënimin e Grupit “Kumanova”.
Ai tha se mënyra më e mirë për ta ndryshuar gjendjen aktuale është që të ketë një hetim ndërkombëtarë për rastin “Kumanova”.
“Lehtë është të flasim por kur i kemi ata atje duhet të jemi të kujdesshëm”, tha kryeministri, duke shtuar se do t’i pres edhe në takim familjarët e të dënuarve në mënyrë që të diskutojnë lidhur me këtë çështje. /Telegrafi/
Vazhdon protesta para Qeverisë së Kosovës, po kundërshtohet dënimi i Grupit “Kumanova”
E plotësuar: Protestuesit të cilët po kundërshtojnë vendimin për dënimin e Grupit ‘Kumanova’ pas protestës para Ambasadës së Maqedonisë në Kosovë, po vazhdojnë protestën para Qeverisë së Kosovës.
Para objektit të Qeverisë së Kosovës vërehet prani e shtuar e Policisë.
Vazhdon protesta, Policia nuk i lejon t’i ofrohen Ambasadës maqedonase
E plotësuar: Policia e Kosovës, saktësisht Njësia speciale është rreshtuar dhe nuk po lejon që protestuesit t’i ofrohen Ambasadës maqedonase.
Derisa protestuesit këndonin këngën “Besa besë”, Policia ka kërkuar nga ata të mos e kalojnë kordonin policor. Të pranishme në protestë janë deputetja Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi.
Policia është e pajisur edhe me gaz lotsjellës.
Fillon protesta në Prishtinë, po kundërshtohet dënimi i Grupit “Kumanova”
Ka filluar të mbahet protesta në Prishtinë për të kundërshtuar dënimin e Grupit “Kumanova” nga Gjykata në Shkup.
Protestuesit me flamuj kombëtar dhe me këngën “Besa Besë” janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti”, ndërsa do të vazhdojnë deri para ambasadës maqedonase në Prishtinë.
Protestuesit po mbajnë pankarta në duar “Pa liri s’ka qetësi”, ‘Maqedoni s’ke të ardhme, as histori”, etj.
Melisa Zekaj, vajza e të dënuarit me burgim të përjetshëm “Valdet Zekaj ka thënë se institucionet nuk kanë bërë asgjë për lirimin e grupit “Kumanova”.
Zekaj në një prononcim për Telegrafin tha se marshi protestues do të vazhdojë deri tek Ambasada maqedonase.
“Kjo është organizuar nga Plisat, për të cilët u jemi shumë mirënjohës. Qëllimi jonë është që t’ju tregojmë që jemi ende gjallë dhe duhet bërë diçka për ta. Institucionet shqiptare s’kanë bërë asgjë për grupin e Kumanovës. Ne do të kërkojmë lirimin e tyre”, tha Zekaj.