Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, duket se e ka marrë shumë seriozisht t’i gjej behane kontratës për shfrytëzim të fijeve optike mes Postës dhe Telekomit të Kosovës dhe Kompanisë IPKO.

Ai, siç shihet në korrespondencat e tij me zyrtarët e PTK’së, po bën presion për shkëputjen e kësaj kontrate, pavarësisht vendimit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit se ajo duhet të vazhdojë.


Gazeta Express ka siguruar një letër të ART’së, të datës 5 gusht, që e obligon PTK’në që mos ta shkëpus kontratën deri në skadimin e saj, më 17/06/2012.

Kreu i MZHE’së, përkundër vendimit të Rregullatorit të telekomunikimit – ART’së, nuk është pajtuar duke kërkuar auditim të marrëveshjes.

Përmes drejtorit të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, Ramadan Sejdiut, kërkohet nga kryesuesi i Bordit të PTK’së, Regjë Gjonbalaj që të raportohet mbi ecurinë e punës së auditimit të lëndës për qartësimin e çështjes mbi shkëputjen e kësaj kontrate.

Kjo letër i dërgohet Bordit më 13 tetor, megjithëse ART’ja gati një muaj më herët i kishte qartësuar marrëdhëniet kontraktuale mes PTK’së dhe IPKO’s. /Telegrafi/