LAJMI I FUNDIT:

Festivali ballkanik i teatrove për herë të parë në Shqipëri

Festivali ballkanik i teatrove për herë të parë në Shqipëri

Më 1 shtator fillon për herë të parë në Shqipëri, festivali ballkanik i teatrove, një iniciative e regjisorit të njohur Gëzim Kame.

Në këtë festival do të marrin pjesë trupa nga Shqipëria, Kosova, Greqia, Mali i Zi, Bullgaria, Maqedonia, Bosnja e Serbia, të cilët do të sjellin në skenë shfaqjet më të mira teatrore të vitit.

“Po pritet me një jehonë shumë të madhe në Ballkan sepse ideja e këtij festivali është shumë ndryshe nga gjithë festivalet rajonale apo kombëtare që janë bërë deri tani në vendin tonë. Do të vijnë shfaqet më të mira të 12 shteteve të Ballkanit dhe këtu do të konkurrojnë shfaqet më të mira të vitit të Ballkanit dhe do të zgjidhet shfaqja më e mirë e vitit të Ballkanit”, ka thënë regjisori Kame.

Në 6 netët e tij festivali do të sjellë tek publiku autorë të njohur si Gogol, Ionesko apo Pirandelo dhe regjisorë të njohur të shteteve pjesëmarrëse. Shqipëria do të përfaqësohet nga tragjik-komedia “6 personazhe kërkojnë autor”.

Në të trajtohet një gamë e gjerë problemesh të karakterit psikologjik, social, filozofik dhe universal, vënë në skenë nga regjisori Mehmet Xhelili. Pjesa është një nga veprat më të rëndësishme të dramaturgjisë botërore të shekullit të njëzetë. Në të është përmbledhur gjithë gjenia krijuese dhe pasioni i madh për teatrin i një prej fituesve të çmimit Nobel, shkrimtarit dhe dramaturgut italin Luixhi Pirandelo. Në përfundim festivali do të zgjedhë edhe regjisorin më të mirë të vitit, skenografin, aktorin dhe aktoren më të mirë. /BalkanWeb//Telegraf/