Boksierja 19-vjeçare që jeton dhe zhvillon karrierën në Çeki do të përballet me boksieren spanjolle Maribel de Sousa në një duel në gjashtë raunde. Për Bytyqin që bokson në kategorinë deri 49 kilogramë do të jetë përballja e dytë në gjashtë raunde, shkruan sot “Koha Ditore”.
Fabiana Bytyqi është boksiere e filialit çek të kompanisë së njohur promovuese gjermane të boksit profesionist SES Boxing. Ajo stërvitet nga boksieri më i famshëm çek Lukas Konecny.
Fabiana tri përballjet e para në boksin profesionist i ka fituar, dy prej tyre me nokaut. Kundërshtarja e saj De Sousa 36-vjeçare ka një fitore e tri humbje.
“Bilanci i spanjolles prej një fitoreje e tri humbjesh është vetëm në boksin profesionist, pasi ajo ka përvojë të madhe në sporte luftarake. Ka mbi 30 meçe në kikboks profesionist. Mirëpo unë jam përgatitur maksimalisht dhe edhe nëse më duhet të boksoj me duar të thyera nuk do të lëshoj kundërshtaren që të më mposhtë”, ka thënë 19-vjeçarja për “Kohën Ditore”.
Fitorja në meçin e radhës do t’ia hapë asaj rrugën drejt luftës së parë për një titull në boksin profesionist. Ajo në nëntor pritet të boksojë për një titull të vogël në boksin profesionist, ndërsa në dhjetor pritet të luftojë për një titull më të madh, nëse fiton titullin në nëntor.
“Unë jam duke vazhduar të punoj dhe kam synime të mëdha në boksin profesionist. Shpresoj që në të ardhmen të fitoj tituj të botës”, ka thënë Bytyqi.
Po të shtunën do të boksojë edhe vëllai i saj, Sebastian Bytyqi, 17-vjeçar. Ai do të përballet në një meç në katër raunde në kategorinë gjysmë-velter me çekun Lukas Radiq. Bytyqi deri më tash ka fituar pesë meçet e para, të pesta me ndërprerje, ndërkohë Radiq ka dy fitore, një barazim e një humbje.
“Unë jam përgatitur shumë mirë për këtë përballje dhe pres që të shënoj një fitore bindëse”, ka thënë Sebastiani.
Ai pas këtij meçi, më 3 tetor, do të ndeshet në një përballje në K1 në Sllovaki, me talentin sllovak Cyril Pazitny.
Sebastiani është po ashtu duke u stërvitur nga trajneri Konecny dhe ka gjasa që në një të ardhme të afërt të bëhet pjesë e kompanisë SES Boxing.