Aleanca ushtarake euro-atlantike e NATO-s ka shtuar prezencën e saj ushtarake në vendet e Baltikut, pas vendimit të marrë një vit më parë në Samitin e Varshavës.
NATO ka dislokuar katër grup-batalione shumëkombëshe në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni, që drejtohen respektivisht nga Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Gjermania dhe SHBA.
Pjesë e trupave ushtarake të NATO-s janë edhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë, të cilat kanë dërguar kontingjentin e parë prej 18 forcash ushtarake të specializuara të EOD (Explosive Ordnance Disposal), në misionin operacional të NATO-s në kuadër të prezencës së përforcuar në Letoni.
Trupat e dislokuara në bazën ushtarake Adazi në Letoni zhvilluan edhe një paradë për të treguar forcën dhe disiplinën e tyre.
Trupat ushtarake të Kanadasë, Letonisë, Polonisë, Spanjës, Italisë, Sllovenisë dhe Shqipërisë parakaluan në paradën ku morën pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, si dhe përfaqësuesit më të lartë ushtarakë të vendeve pjesëmarrëse.
EOD është struktura speciale për eliminimin e materialeve të rrezikshme, të Batalionit të Xhenios të Komandës Mbështetëse. Shqipëria është pjesë e grup – batalionit në Letoni nën komandën e Kanadasë, ku marrin pjesë edhe shtetet si Italia, Polonia dhe Sllovenia.