Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë me anë të një kumtese tentoi ta nënçmojë dhe nënvlerësojë anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, potencon portali i Brukselit “Euractiv”, duke vlerësuar se anëtarësimi i vendit në Aleancë paraqet “goditje të re ndaj shpresave të Moskës se do ta mbajë ndikimin e saj ndaj Ballkanit Perëndimor, pasi paraprakisht edhe Mali i Zi dhe Shqipëria vendosën t’i bashkëngjiten Paktit.

Portali përkujton se flamuri i Maqedonisë u ngrit para selisë së NATO-s në Bruksel në një ceremoni modeste me vëmendje të vogël mediatike, si rezultat i pandemisë me koronavrusin.

“Duket se Rusia përfitoi nga kjo, duke theksuar mungesën e pompimit në krahasim me zgjerimet paraprake të NATO-s” shton “Euroaktiv”.

Portali thekson edhe se Ministria e Punëve të Jashtme ruse ka dalë me koment ironizues në deklaratat e ministrit të Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov se edhe krahas gjendjes së jashtëzakonshme në vend, liderët e Maqedonisë ndanë kohë ta shënojnë rëndësinë historike të anëtarësimit në NATO, që siç potencon shefi i diplomacisë, do të sigurojë stabilitet dhe siguri në vend dhe paraqet përmbushjen e “premtimit të baballarëve dhe gjyshërve tanë”.

“Euraktiv” thekson se MPJ-ja ruse potencon se Dimitrov nuk ka përmendur që data zyrtare e anëtarësimit në Aleancë, pothuajse është përputhur me përvjetorin e fillimit të sulmeve të NATO-s ndaj ish RF të Jugosllavisë.

Portali thotë se gjatë sulmeve ajrore të NATO-s ndaj Ish RF të Jugosllavisë, të cilat zgjatën nga 24 marsi deri më 10 qershor të vitit 1999, “Republika e Maqedonisë vuajti indirekt për shkak të fluksit të shumë refugjatëve nga Kosova”.

“Për dallim nga Beogradi, i cili ka deklaruar se nuk do të bëhet kurrë anëtar i NATO-s, Shkupi vazhdimisht ka kërkuar anëtarësim në NATO. Pengesa kryesore ishte vetoja nga Greqia fqinje, e nxitur nga kontesti për emrin e vendit, i cili u zgjidh me Marrëveshjen e Prespës më 12 qershor të vitit 2018, përkujton “Euraktiv”, duke shtuar se Rusia ka provuar të marrë pikë duke përmendur edhe disa “parregullsi ligjore” për mënyrën e ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës, dhe në veçanti pjesëmarrjen e ulët në referendumin e mbajtur në Maqedoninë e Veriut më 30 shtator të vitit 2018. ”

“Euraktiv” thekson se Rusia më tej vëren se “një vend i dobët si Maqedonia e Veriut vështirë se do ta rrisë fuqinë e Aleancës” dhe se “nuk kontribuon në mënyrë shtesë në sigurinë evropiane, rajonale ose kombëtare”.

Sipas portalit, Moska po përpiqet të nënvlerësojë edhe përfitimet për vendin nga anëtarësimi në NATO, duke i cilësuar ata “të dyshimtë” dhe duke theksuar se “Aleanca nuk është gjithmonë në gjendje të mbrojë me siguri anëtarët e saj” dhe se “populli i Maqedonisë do të duhet ta paguaj çmimin duke hequr dorë nga sovraniteti i tij mbi çështjet ushtarako-politike dhe çështje të tjera”.

“Rusia shpresonte për zvarritje të ratifikimit për pranimin e Shkupit në NATO nga vendet anëtare dhe të llogarisë në opozitën anti-perëndimore brenda vetë Maqedonisë, duke shpresuar se do të vijë në pushtet partia nacionaliste e OBRM-PDUKM-së e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe do ta prishte agjendën për anëtarësimin në NATO”, përfundon Euraktiv.