LAJMI I FUNDIT:

Ethet zgjedhore në Ferizaj

Ethet zgjedhore në Ferizaj

Fushata zgjedhore për kryetar të Ferizajt do të fillojë nesër. Gjashtë subjekte politike, një koalicion dhe një kandidat i pavarur, pritet që para qytetarëve dhe elektoratit të tyre të shpalosin programet e tyre zgjedhore, nëpërmjet të cilëve synojnë të përçojnë vizionin zhvillimor për këtë komunë.

Ndonëse zyrtarisht fushata do të fillojë nesër, partitë politike, por edhe kandidatët, që nga shpallja e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, kanë filluar aktivitetet partiake me anëtarësinë, duke formuar shtabet zgjedhore dhe strukturat tjera, që janë të nevojshme për mbarëvajtjen e këtij procesi.

Pothuajse të gjitha shtabet e subjekteve partiake flasin për Kosovapress në superlativ për përgatitjet, ndërsa koha e shkurtër e fushatës do të jetë përcaktuese për agjendat e subjekteve politike.

Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dega e Ferizajt, kanë thënë se përgatitjet për fushatën zgjedhore tashmë ndodhën në fazën përfundimtare, ndërsa që nga nesër edhe do të nisë turri elektoral i kandidatit të tyre.

Hajdin Abazi, zëdhënës i shtabit zgjedhor të PDK-së, ecurinë përgatitore e ka vlerësuar si të mirë, duke përmendur edhe mobilizimin e aktivistëve. "PDK-ja nesër do ta hapë fushatën me një tubim madhështor, ndërsa gjatë këtyre ditëve do të ketë takime me simpatizantë e qytetarë, ku do të shpaloset edhe programi zgjedhor", ka thënë Abazi.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje gjatë këtyre ditëve ka pasur një agjendë të ngjeshur të aktiviteteve, ku është vërejtur një mobilizim i shtuar i anëtarësisë së këtij subjekti. Nga ky subjekt është paralajmëruar se hapja e fushatës do të behet nesër, ndërsa edhe këta kanë paralajmëruar takime të shumta me qytetarë e simpatizantë për të shpalosur programin e tyre zgjedhor dhe për ta përçuar vizionin e tyre tek qytetari.

Sekretari organizativ i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj, Naim Jakaj, e ka vlerësuar lartë ecurinë parazgjedhore, duke përmendur një numër të madh takimesh me qytetarë e simpatizantë të lëvizjes.

Në këto zgjedhje me një optimizëm të shtuar, garës për kryetar të Ferizajt, i ka hyrë edhe koalicioni LDK-LDD, i cili synon që në këto zgjedhje të rikthej frymën e qeverisjes gjashtë vjeçare, e njohur për qytetarin ferizajas. Shefi i shtabit të LDK-së, Medain Hashani, periudhën para fushatës e ka vlerësuar si një fazë në të cilën anëtarësia e këtij subjekti është mobilizuar si kurrë më parë për fitore. Hashani, ka thënë se edhe ky subjekt do të nisë fushatën nesër me një tubim, ndërsa gjatë këtyre ditëve do të ketë aktivitete të ndryshme elektorale.

Një optimizëm mbizotëron edhe në degën e AAK-së, e cila në këto zgjedhje ka hyrë me një kandidat të ri, i cili sipas drejtuesve të degës po bënë një punë të madhe në mobilizimin e anëtarësisë. Nga shtabi zgjedhor i këtij subjekti thonë se punët në teren po u shkojnë mirë, ndërsa fushatën zgjedhore do ta fillojnë nesër në mbrëmje me një tubim me anëtarësinë. Fatmir Azizi, shef i shtabit të AAK-së, ka folur për angazhimet, i bindur se kësaj radhe vizoni i këtij subjekti do të triumfojë.

Drejtues të degës së AKR-së, parti kjo që për afro pesë vite ka qenë në koalicion qeverisës me PDK-në, kanë thënë se ky subjekt kohën e para fushatës e ka shfrytëzuar për të angazhuar njerëz të profileve të ndryshme, që kanë përqafuar programin e tyre.

Kandidati i pavarur, Rrahim Sadiku, i cili edhe në zgjedhjet e kaluar është sfiduar për këtë post, ka thënë se ai e ka më së lehti të punojë ngase nuk mbanë në supe peshën e subjekteve politike, por që do të punoj në interes të qytetarit.

Lëvizja për Bashkim (LB), në këto zgjedhje ka nxjerr Ramadan Eminin, si kandidat i këtij subjekti për kryetar. Ai njihet si njeri profesionist, i cili siç thotë, prej pas lufte jeton me hallet e qytetarëve.

Në komunën e Ferizajt, të drejtë vote kanë rreth 95 mijë qytetarë, të cilët do të votojnë në 25 qendra të votimit me 124 vendvotime. /Telegrafi/