Site icon Telegrafi

Erdogan: Turqia po planifikon operacione të reja në Siri

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se vendi po planifikon një ofensivë të re në pranverë kundër grupeve, të cilat nga Ankaraja konsiderohen terroriste.

Javën e kaluar, Turqia ka njoftuar për përfundimin e ofensivës “Mburoja e Eufratit”, që nisi në gusht të vitit të kaluar kundër militantëve të Shtetit Islamik dhe milicëve kurdë që operojnë në rajonin kufitar të Turqisë me Sirinë.

Por Erdogan tha se do të ndërmarrin operacione të tjera ndërkufitare ndaj grupeve të paligjshme si Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PPK) dhe Njësive të Mbrojtjes Popullore Kurde (YPG).

YPG është aleat i Shteteve të Bashkuara që lufton kundër militantëve të IS-it në Siri, por Turqia e konsideron grup terrorist dhe degë në Siri të PPK-së.

“Ne po bëjmë përgatitjet për operacionet e reja në rajon ndaj terroristëve”, tha Erdogan, duke mos saktësuar se kur mund të fillojnë këto operacione, transmeton Evropa e Lirë.

 

Exit mobile version