Gjatë muajve të fundit, emigrantë nga Afrika, Lindja e Mesme dhe Azia Jugore po vërshojnë drejt Evropës. Kjo situatë ka detyruar liderët dhe politikbërësit evropianë të përballen me sfidën më të madhe të Evropës që nga kriza ekonomike brenda eurozonës.
Organizata Ndërkombëtare për Migrim e ka emëruar Evropën si destinacioni më i rrezikshëm në botë për emigracion të parregullt dhe Detin Mesdhe si kalimin kufitar më të rrezikshëm në botë. Ndërkohë që BE-ja është duke luftuar fluksin masiv të emigrantëve dhe refugjatëve – më të madhin që ka parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore – 3000 njerëz kanë vdekur ose humbur përgjatë Mesdheut që nga fillimi i vitit.
Por, pavarësisht përshkallëzimit të përditshëm të numrit të refugjatëve, reagimi kolektiv i Bashkimit Evropian për fluksin e emigrantëve ka qenë i improvizuar nga secili shtet pritës dhe shumë kritikues janë fokusuar më shumë në sigurimin e kufijve për të bllokuar këtë valë refugjatësh, sesa në mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve dhe refugjatëve.
Ndërkohë, emigrimi ka ngritur dyshime për kufijtë e hapur, duke shkaktuar një mosmarrëveshje mbi ndarjen e barrës, kur në të njëjtën kohë partitë nacionaliste mbizotëruese në shumë shtete anëtare, si dhe shqetësimet për përhapjen e terrorizmit islamik në të gjithë kontinentin, lë të paqartë nëse do të jetë bllokimi apo vendet anëtare të BE-së më të aftët për zbatimin e reformave të qëndrueshme të azilit dhe emigracionit.
Kriza e refugjatëve në Evropë është duke u kthyer në më shumë se një përndarje mes shteteve anëtare të BE-së. Ajo po ndryshon hartën demografike kombëtare në të gjithë kontinentin. Popullsia në të gjitha vendet evropiane, në bazë të statistikave të Kombeve të Bashkuara, janë duke u plakur dhe shumë shpejt do të fillojnë të tkurren, duke sjellë vështirësi fiskale në ekonomi.
Megjithëse emigracioni mund të ndihmojë në rritjen dhe nxitjen ekonomike në këto vende, por paralelisht ajo mund të hapë derën për konflikte politike dhe sociale brenda këtyre vendeve. Sigurisht që Shqipëria është familjare me rastin e emigracionit, e shfaqur në shifra gjigande kryesisht gjatë vitit të fundit.
Numri i azilkërkuesve nga Shqipëria dhe Kosova është tetëfishuar brenda me pak se 12 muajve. Për ta bërë edhe më të qartë situatën e emigracionit në të cilën edhe Shqipëria ndodhet, gjatë muajit gusht ka patur 8306 kërkesa për azil nga shtetas shqiptarë dhe 7633 nga shtetas të Kosovës, ndërkohë që 10440 janë gjithsej nga Siria e cila ndodhet nën luftë dhe sulmin e xhihadistëve të Kalifatit Islamik.
Por, çfarë ndryshimi kanë emigrantët, azilkërkuesit dhe refugjatët nga njëri-tjetri?
Dallimi i emigrantëve nga azilkërkuesit dhe refugjatët nuk është gjithmonë një proces i qartë dhe i lehtë, por është një përcaktim i rëndësishëm për shkak se këto grupe kanë të drejta të niveleve të ndryshme të asistencës dhe mbrojtjes sipas ligjit ndërkombëtar. Një azilkërkues përkufizohet si një person i larguar nga persekutimi ose konfliktit dhe për këtë arsye kërkon mbrojtje ndërkombëtare sipas Konventës së Refugjatëve të 1951 mbi Statusin e Refugjatëve; një "refugjat" është një azilkërkues kërkesa e të cilit është miratuar. Një "emigrant ekonomik" është personi motivimi kryesor i të cilit për të lënë vendin e tij janë arsyet ekonomike. Termi "migrant" është parë si një term neutral mbrojtës për të tre grupet.