Ekonomisë së SHBA-së mund t’i duhen afër 10 vjet për t’u rikuperuar nga pasojat e pandemisë së coronavirusit, deklaroi të hënën Zyra e Buxhetit të Kongresit (CBO).

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, agjencia projekton që gjatë periudhës 2020-2030, shkalla e prodhimit prej 15.7 trilionë dollarëve do të jetë më pak sesa u potencua në janar, një ulje prej 5.3 për qind. Mes tjerash parashikimi i raportit paraqet diku 7.9 trilionë dollarë humbje, ose shifrën prej 3 për qind.

Zyrtarët thonë se ekonomia e vendit nuk pritet të rikuperohet në nivelin e paraparë deri në tremujorin e katërt të vitit 2029.

Screen Shot 2020 06 02 at 9.34.20 AM

“Mbyllja e bizneseve dhe masat për distancimin shoqëror pritet të zvogëlojnë shpenzimet e konsumatorit, ndërsa rënia e fundit e çmimeve të energjisë parashikohet të ulë ndjeshëm investimet amerikane në sektorin e energjisë”, tha CBO në raport.

Pakoja emergjente e 3.3 trilionë dollarëve e lansuar nga Kongresi muajt e fundit “do të zbusë pjesërisht përkeqësimin e kushteve ekonomike”, thotë agjencia federale.

Raporti u publikua në mes të përkeqësimit të vazhdueshëm të të dhënave ekonomike në SHBA, megjithëse vendi do të rihapet pas bllokimeve gjithëpërfshirëse që filluan në mars për të parandaluar shpërthimin e coronavirusit. /Telegrafi/