LAJMI I FUNDIT:

Ekonomia e Britanisë së Madhe tkurret me 20 për qind në tremujorin e dytë

Ekonomia e Britanisë së Madhe tkurret me 20 për qind në tremujorin e dytë

Britania e Madhe ka pësuar një kolaps rekord ekonomik në tremujorin e dytë 2020, kur ishin në fuqi masat e karantinës së pandemisë COVID-19 dhe njerëzit nuk kishin mundësi për të shpenzuar.

Produkti i Brendshëm Bruto në tremujorin e dytë u tkurr me 19.8 për qind.


Sipas zyrës së Statistikave në Londër, kjo normë ishte më e ulët se 20.4 për qind që u vlerësua fillimisht, por është ende më e larta se në çdo ekonomi tjetër të zhvilluar, .

Tkurrja ekonomike ishte më e madhja që kur nisën regjistrimet në vitin 1955. Ekonomia britanike ishte tkurrur me 2.5 për qind në tremujorin e parë, pasi vendi hyri në karantinë në fund të muajit mars.

Familjet kanë kursyer një normë rekord prej 29.1 për qind të të ardhurave të tyre në tremujorin e dytë, në rritje nga 9.6 për qind në tremujorin e parë, ndërkohë që nuk patën mundësi të shpenzojnë në dyqane dhe restorante, pavarësisht se të ardhurat u mbështetën nga skema e Qeverisë për mbrojtjen e vendeve të punës, Britania e Madhe ka normën më të lartë të vdekjeve nga COVID-19 në Evropë, me mbi 42,000.

Me bazë vjetore, Produkti i Brendshëm Bruto i Britanisë ra me 21.5 për qind, shifër e ngjashme me Spanjën, ndërkohë që Franca raportoi rënie me 19 për qind.

Ekonomia është rimëkëmbur ndjeshëm që prej heqjes së karantinës në muajin maj. Megjithatë, Banka e Anglisë ka paralajmëruar se rimëkëmbja pritet të humbasë vrull dhe norma e papunësisë pritet të rritet në 7.5 për qind këtë vit. /Scan TV/