Një receptor i faktorit të rritjes, i cili gjendet në sasi të madhe në sipërfaqen e qelizave kanceroze e që deri më tani ka qenë i njohur vetëm për nxitjen e rritjes së kancerit, mendohet se i mbron këto qeliza nga uria me anë të një mekanizmi të sapo zbuluar.

Burimi: University of Texas M. D. Anderson Cancer Center

Receptori i faktorit epidermal të rritjes (EGFR) stabilizon një proteinë tjetër të membranës qelizore e cila furnizon vazhdimisht qelizat kanceroze me sasi të konsiderueshme të glukozës, duke i mbrojtur kështu nga gëlltitja e vetvetes. Këto të dhëna mund të shpjegojnë se pse disa barna, të cilat kanë shënjestruar atë që më herët (kur është menduar vetëm roli i EGFR në proliferimin e kancerit), kanë sukses të kufizuar te pacientët me kancer.

Barnat të cilat bllokojnë aktivitetin e EGFR nga faktorët e rritjes, gjegjësisht aktivitetin e tirozin kinazës, kanë shkaktuar reagim pozitiv në vetëm 10-20% të pacientëve me lloje të ndryshme të kancerit. Kjo tregon se ky receptor është i pavarur nga aktiviteti i kinazës, ndërsa fatkeqësisht të gjitha studimet kanë qenë të përqendruara te kjo enzimë.

Studimi i ri ka treguar se EGFR lidhet me një tjetër proteinë të membranës të quajtur SGLT1 (transportues i përbashkët i natriumit dhe glukozës), duke mbrojtur SGLT1 të mos shkatërrohet me anë të kompleksit të proteinave. Ky kompleks stabilizon SGLT1 dhe në këtë mënyrë vazhdon transporti i glukozës nga membrana qelizore në brendi të qelizës.

Qelizat kanceroze kanë kërkesa më të mëdha metabolike dhe kanë nevojë për sasi më të madhe të glukozës për funksionimin e tyre në krahasim me qelizat normale. Duke inhibuar aktivitetin e kinazës së receptorit nuk ndërhyhet në EGFR dhe në këtë mënyrë stabilizohet SGLT1, dhe kështu u mundëson qelizave kanceroze të ruajnë nivelet e glukozës brendaqelizore.

Për të shkatërruar qelizat tumoroze duke ua ndalur glukozën duhet që të ndërhyhet drejtpërdrejtë në receptorin dhe jo në aktivitetin e tij. Se çka duhet bërë fillimisht, ndoshta të shënjestrohet njëherë EGFR dhe pastaj të ndërhyhet në aktivitetin e SGLT dhe në fund në glukozën brendaqelizore, mbetet të shihet në të ardhmen. /Telegrafi/