Edhe rrjeti ndërkombëtar i hakerave ”Anonymous” i ka shpallur luftë totale ISIS-it me anë të një videoje, pas atentateve në Bruksel.
“Liria jonë u sulmua dhe nuk mund të vazhdojë më kështu. Ne do të luftojmë pa asnjë mëdyshje kundër terrorizmit”, thuhet në video.
”Pas atentateve të 13 nëntorit të kaluar në Paris ne sabotuam 5 500 adresa në Twitter, të lidhura me ISIS-in. Kemi piratuar gjithashtu një portofol elektronik me tre milionë bitcoin, valutë dixhitale e përdorur në uebin Dark, hyrja kryesore për ISIS-in”, shton ”Anonymous”.
”Do t’ju gjejmë, ne jemi në të gjithë botën dhe jemi shumë më shumë nga sa mund ta imagjinoni. Dridhuni. I ftojmë të gjithë të luftojnë me ne. Ne mbrojmë lirinë dhe tolerancën, nuk do t’ju falim! Mos e harroni këtë!”, përfundon ”Anonymous”.