“Ishim mirë në pjesën e dytë”, tha Sten Foster pas disfatës 38-0 kundër Fixhit në Lojërat e Paqësorit të dielën, dy ditë pas humbjes 30-0 përballë Tahitit. “Luajtëm keq në mbulim në pjesën e parë, ndaj u thashë lojtarëve të markonin një për një. Kështu funksionoi më mirë”.

Duke i parë gjërat në relativitet, shpjegimi i Fosterit merr një kuptim. Mikronezia pësoi vetëm 17 gola pas pushimit krahasuar me 21 në pjesën e parë, raporton Shekulli.


Ky ndoshta ishte rezultat edhe i vendimit të guximshëm taktik të trajnerit për ta zëvendësuar portierin Valter Pengelbu me mesfushorin Dominik Gadad në pushimin mes pjesëve. Ky është një nga episodet e shumtë që e bëjnë Mikronezinë kandidaten kryesore për titullin e skuadrës kombëtare më të dobët në historinë e futbollit.

“Ata ishin shumë të mëdhenj”, tha lidhur me lojtarët kundërshtarë Gadad, një 20-vjeçar nga një fshat në ishullin Iap. Por të paktën ai ishte në humor më të mirë sesa pas humbjes përballë Tahitit, futbollistët e të cilit pas ndeshjes bënë një vallëzim ofendues për mikronezianët e gjorë. “Na mundën e pastaj na tallën. Ishte turpëruese. E kemi të vështirë, vetëm vonë kemi nisur të luajmë futboll”, u shpreh Gadad.

“Shumica e këtyre djemve vijnë nga fshatra të vegjël ku nuk luhet kjo lojë, ndaj ata kanë bërë goxha rrugë deri këtu. Nuk janë mësuar me kaq shumë tifozë në turne kaq të mëdhenj si ky dhe përballë kundërshtarëve me nivel”, tha tekniku Foster, i cili është australian.

Ndërkohë për lojtarët e Fixhit, që renditet e 195-ta mes 209 përfaqësueseve në klasifikimin e FIFA-s, ky ishte një rast i rrallë për t’u ndier si Lionel Mesi. Edhe pse pesë nga futbollistët e ekipit shënuan nga tre gola, trajneri i tyre, Huan Karlos, nuk ishte i kënaqur.

“Shpërdoruam jashtëzakonisht shumë mundësi që kushedi sa mund ta kishin çuar rezultatin. Çdoherë kur luajtëm me një pasim depërtuam dhe krijuam mundësi, por ndonjëherë lojtarët dehen nga topi dhe fillojnë të ëndërrojnë duke humbur kohë”, tha ai.

Rezultati i kësaj ndeshjeje e eklipson rekordin e fitores 31-0 të Australisë kundër Samoas Amerikane në vitin 2001, por duke qenë një turne U-23, vendi i Fixhit në librat e historisë është i pasigurt.

Jo se tekniku Karlos ishte në merak për historinë, pasi atij i interesonte vetëm diferenca e golave: “Na vjen shumë keq që na u desh ta bënim këtë, por nuk kishim zgjidhje tjetër pasi Tahiti shënoi 30 dhe ndeshjen tjetër e kemi me ta”.

Ndërkaq, kundërshtari i radhës për Mikronezinë do të jetë Vanuatu, që barazoi 1-1 ndaj Fixhit para dy ditësh. Për Fosterin është koha për t’u përmirësuar, sidomos në lojën me një pasim.

Kurse qëllimi i Gadadit është i thjeshtë: “Të shënojmë të paktën një gol”. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app