E majta merr 18 bashki! PD ngjitet në 6 bashki

Ndërsa Tropoja, Përmeti, Klosi, Voram Mati dhe Selenica do të drejtohen nga përfaqësuesit e djathtë. Adelina Farriçi, e preferuara e Edi Ramës në Mat, duket se ka humbur pasi drejtoi për një mandat Burrelin.
Farriçi mori 7679 vota, kurse rivali i saj, Nezir Rizvani mori 8150 vota. Rreth orës 06:00 të mëngjesit të sotëm u mbyll procesi i votimit në Bashkinë e Hasit, ku Adem Lala i koalicionit të majtë arriti të fitojë me 4884 vota ose 52.98 për qind, ndërsa kandidati i APPD, Elez Maçi arriti të merrte 4245 vota ose 46.05 për qind. Në garë për këtë bashki ishte edhe kandidati i PSD, Gëzim Ukperaj, i cili mori vetëm 0.97 për qind të votave.
Procesi i numërimi është mbyllur edhe në Skrapar, ku fitues ka rezultuar Nesim Spahiu, i cili mori 84.43 për qind, ndërsa rivali i tij Hajredin Bakjasi 15.57 për qind të votave.
Ndërkohë edhe në Delvinë përfundoi procesi i numërimit dhe Rigels Balili, kandidat i ASHE, tashmë është kryetari i ri i kësaj bashkie, pasi ka marrë 72.8 për qind të votave, ndërsa kandidati i APPD, Dhurim Alinani ka marrë 27.2 për qind të votave. Përfundon numërimi edhe në Roskovec: Majlinda Bufi e ASHE-së fitoi 52.39 për qind të votave, Gëzim Çaushi i APPD-së, 47.61 për qind të votave.Në Konispol, Shuaip Beqiri i ASHE-së ka marrë 43.93 për qind të votave, ndërsa Ismail Murtaj i APPD-së, 35.83 për qind.
Në Poliçan, Adriatik Zotkaj i ASHE-së ka fituar 4888 vota (72.45 për qind), ndërsa Florian Qamaj i APPD-së ka marrë 1859 vota (27.55 për qind).
Edhe Bashkia e Peqinit është fituar nga një kandidati i majtë, Saimir Hasalla, i cili arriti të merrte 9020 vota, ndërsa Albert Kreçi kandidati i APPD mori 4284 vota. Në Belsh, Arif Tafani i ASHE-së ka marrë 45.51 për qind të votave, ndërsa Asqeri Kuqja i APPD-së, 38.45 për qind.
Në Kolonjë, Arben Malo i ASHE-së ka marrë 4997 vota, ndërsa Viktor Duro, kandidat i APPD-së, 4076 vota. Luiza Mandi e ASHE-së ka arritur të marrë 53.65 për qind të votave në Libohovë, duke mundur Altin Çomon e APPD-së me 46.35 për qind. Në Mirditë, Ndrec Dedaj i ASHE-së ka fituar me 55.37 për qind të votave, ndaj 44.63 për qind të votave të Gjergj Prengës së APPD-së.
Po ashtu edhe bashkia e Fushë Arrëzit dhe e Pukës është fituar nga kandidatët e ASHE, por me një diferencë të vogël. Në Pukë, Gjon Gjonaj arriti të fitonte me një diferencë vetëm me 97 vota, ndërsa në Fushë Arrëz diferenca ishte vetëm me 66.
Ndërsa në Përmet ka fituar kandidati i APPD-së, Niko Shupuli, me 58.58 për qind të votave kundrejt 38.53 për qind të kandidatit të majtë, Gilberto Jaçe. Edhe në Tropojë ka fituar kandidati i djathtë, Besnik Dushaj, i cili mori 51.94 për qind të votave.
Bashkia e re Tropojë do të qeveriset përgjatë katër viteve të ardhëshme nga kandidati i të djathtës Besnik Dushaj, por fitorja e tij rezultoi me një diferencë shumë më të vogël se sa fitorja e të djathtës në zgjedhjet e vitit 2013 në këtë bastion demokrat.
Pas numërimit të të gjitha votave të zgjedhjeve të së dielës, Besnik Dushaj rezultoi me 5,810 vota, ose fitues me afro 52 për qind. Por Dushaj rezulton se ka marrë 2 mijë vota më pak se sa patën marrë PD dhe PR në zgjedhjet e vitit 2013.
Kundërshtari i tij, Rexhë Byberi, i cili kandidonte në emër të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, arriti të marrë afro 5 mijë vota, mbi 2 mijë vota më shumë nga sa patën marrë më 2013 Partia Socialiste dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim në vitin 2013.
Në Korçë numërimi u mbyll rreth orës 14:30 ku fitoi Sotiraq Filo i ASHE me 59,13 përqind të votave kundrejt 40,87 të Gjergji Meros së APPD. /Telegrafi/


































