LAJMI I FUNDIT:

Dy qytete, dy autorë, një tekst

Dy qytete, dy autorë, një tekst

Shkëmbimi i autorëve ndërmjet Berlinit dhe Prishtinës, i organizuar nga Qendra Multimedia (Prishtinë) në bashkëpunim me Zyrën për Çështje Kulturore (Berlin), sjell nga data 14 – 19 shtator në Prishtinë shkrimtaren dhe gazetaren berlinase Ines Kappert.

Ajo do të takojë dramaturgun dhe regjisorin Ilir Gjocaj, që së bashku të hulumtojnë kryeqytetin e Kosovës. Ilir Gjocaj, si udhërrëfyes, do t’ia tregojë Ines Kappert-it Prishtinën „e tij“ dhe do ta përcjellë atë përgjatë kujtimeve personale apo kolektive në vendet që, sipas tij, e karakterizojnë kryeqytetin më të ri evropian. Pas një jave, Ilir Gjocaj gjithashtu do të udhëtojë për në Berlin, ku do të qëndrojë gjashtë ditë. Atje, atë, do ta shoqërojë Ines Kappert-i nëpër Berlinin ‘e saj’.

Nga vizitat e ndërsjella, hulumtimet dhe përshtypjet e përbashkëta si dhe nga përzierja e vështrimit personal me atë të një të huaji mbi qytetin përkatës, krijohet një tekst, i cili do të deklamohet nga një aktor gjerman dhe një aktor kosovar gjatë një leximi skenik apo si shfaqje teatri, në kuadër të festivalit Berlin Prishtina/Prishtina Berlin.


Festivali, i planifikuar të mbahet në vitin 2011 në Prishtinë, nuk ofron vetëm mundësinë për të përjetuar nga afër shumëllojshmërinë dhe kompleksitetin e ngjarjeve kulturore të Berlinit nga këndvështrime të ndryshme, por ofron edhe projekte të tjera, të cilat janë planifikuar të realizohen si shkëmbime të drejtpërdrejta mes artistëve të ndryshëm nga Prishtina dhe Berlini, duke i sjellë këto dy qytete më afër njëri-tjetrit. /Telegrafi/