LAJMI I FUNDIT:

Durim, 2017-ta, vit i zhvillimit

Durim, 2017-ta, vit i zhvillimit

Është fatkeqësi që ky popull nuk po e kupton Qeverinë e Kosovës dhe përpjekjet e tyre për të miren e tij dhe zhvillimin ekonomik. Qeveria dhe partitë politike nuk kanë shkopinj magjik që të rregullojnë problemet e qytetarëve, këto punë shkojnë ngadalë por sigurt.

Viti i ardhshëm 2017 do të jetë viti i zhvillimit, pasi në këtë vit do të fillojë funksionimi i projektit më të madh zhvillimor të Kosovës. Projekti për të cilin kemi investuar seriozisht duke i futur të gjitha mjetet e buxhetit të dedikuara për zhvillimin, jemi futur “all in” në këtë projekt dhe ky do të sjellë edhe rezultatet. Po flasim për projektin – Autostrada për Shkup.

Siç ka thënë edhe presidenti Thaçi në një nga intervistat e veta: (po parafrazoj): Kosova është shumë përpara rajonit me infrastrukturë rrugore dhe zhvillimin e rrjetit rajonal. Unë them: kjo është një gjë që si kosovarë duhet të krenohemi. Tash në vitin 2017 qytetarët e Kosovës do të ndjejnë efektin me rrugën e ndërtuar në vendin e tyre, duke filluar nga ceremonia e hapjes.


Edhe pse efekti është pjesërisht psikologjik ceremonia e hapjes do të jep benefitet e veta. Fëmijët me flamuj të vegjël të Kosovës, SHBA-ve dhe Turqisë do të radhiten pranë shiritit të kuq; burrështetasit kosovarë dhe të rajonit do të ulen në rendin e parë duke treguar se këtu po punohet.

Gjithsesi në rendin e parë do të jetë edhe ambasadori i SHBA-ve dhe ai i Turqisë, dhe zyrtarët vendorë do të vjedhin momente duke i përshëndetur me ambasadorët që të tregojnë afërsinë në mes të dy vendeve.

Në rendin e dytë do të ulen gazetarë, këngëtarë dhe njerëz të tjerë të rëndësishëm, me rrobat dhe zbukurimet tjera e tyre më të mira. Ata do të nderojnë dhe përshëndesin krenarinë kosovare. Fytyra të qeshura dhe të gëzuara për këtë ditë të madhe te realizimit të projektit madhorë do të mbushin ekranet televizive anembanë.

Ne do të shikojmë duke adhuruar lidershipin që arriti të realizojë këtë vepër eminente. Këto ceremoni edhe pse mund të duken të parëndësishme do të ndikojë pozitivisht në psiken nacionale dhe dëshirën për ta dashur Kosovën e zhvilluar edhe më shumë. Pastaj rruga do të hapet. Me këtë do të hapet edhe rruga e zhvillimit ekonomik. Prodhuesit kosovarë do të ulin koston e transportit të eksporteve të tyre për në Maqedoni dhe me këtë do të jenë më konkurrent.

I tërë prodhimi kosovarë i mbetur në Kosovë në mungesë të rrugës do të niset në një konvoj drejtë Maqedonisë, Greqisë dhe më gjerë. Kosovarët do të mund të udhëtojnë më lirë në Evropë duke fluturuar nga aeroporti i Shkupit, me bileta të subvencionuara nga qeveria maqedonase.

Kështu do të risin konkurrencën e aeroportit të Prishtinës dhe do të ulin çmimin e biletave. Kjo rrugë korridor internacional me rëndësi të veçantë për ekonominë e Kosovës do të mundësojë edhe uljen e çmimit të prodhimeve ushqimore pasi importimi i tij do të jetë më i lirë.

Me këtë do të ndihmohet punësuesi më i madh në Kosovë, tregtia dhe super-marketet pasi ata do të mund të importojnë më shumë produkte nga Maqedonia me çmim më të ulët. Kështu konsumatori kosovarë do të kenë më shumë zgjedhje dhe çmime më të ulëta. Do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në çmimet e shëndetësisë, pasi tash më shpejtë mund të shkohet në Shkup dhe kështu do të ritet konkurrenca me spitalet kosovare. Plus duke u shëruar në sistemin privat maqedonas do të ulen shpenzimet e QKUK-së.

Industria e naftës në Kosovë do të gëzohet gjithashtu pasi kamionët që vinë nga Maqedonia, do të blejnë naftë në Kosovë. Gjatë mbushjes së rezervarit të naftës shoferët edhe do të shpenzojnë para në minimarketin e pompës dhe shtuar shpenzimet e tyre brenda Kosovës. Skijimi në Mavrovë do të jetë më i lehtë dhe më i lirë pasi do të arrihet atje më shpejtë.

Kjo gjithsesi se do të jetë mirë pasi në Kosovë nuk ka qendër moderne skijimi, dhe buxheti i Kosovës nuk do të ngarkohet, sikur ai i Maqedonisë dhe vendeve fqinje për ndërtimin e një qendre të tillë, ne kemi investuar mençur në rrugë.

Pastaj veç paramendojeni vetën në këtë autostradë të re me veturën tuaj të shpejtë, fijuuu kënaqësi. Shpresojmë policia të mos jetë shumë strikte. Pra durim edhe një vit. Me hapjen e kësaj rruge do të hapet rruga e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Çështjet e politikës ditore të disa testeve të arsimit (PISA) të bëra nga OJQ-të që kullosin në fonde ndërkombëtare, statistikat e rritjes ekonomike, statistikat e papunësisë, cilësia e ajrit dhe ambientit, marrëdhëniet ndëretnike e ndërfetare janë gjëra që shkojnë e vinë e debatohen në bazë të përkatësisë politike, pasi vërtetësia e tyre mund te kontestohet nga çdokush.

Është më se e natyrshme se opozita do ta shajë qeverinë. Por, besoni në Kosovë ditët e mira po vinë, durim edhe pak se së paku këtë dimë ta bëjmë mirë. Për fund! Pas 100 vjetëve çka do të thotë historia kush e ndërtoi këtë rrugë apo do të pyes a ka pasur furnizim të rregullt me energji elektrike!? Krenohuni për kohët e madhërishme në të cilat po jetoni.

(Autori është gazetar kosovar-zviceran)