Intervistoi: Gazmend Kajtazi
Foto: Arton Humolli
Drenusha Latifi është modelja e parë kosovare që në vitin 1999 përfaqësoi Kosovën në New York (SHBA), nga fotografi Fadil Berisha. Më 2002 zgjedhet Miss Kosova, po këtë vit në ‘Miss Tourism of the World’ merr çmimin ‘Miss Face on the Net’.
Hyn në Top 10-she në ‘Miss Tourism International 2002’ në Kuala Lampur (Malajzi).
Pjesëmarrëse në ‘Miss Europa Junior’ më 2002. Top 5 Finaliste në ‘Miss Albania 2003’.
Me 5 klipet e saj të suksesshme, është bërë një këngëtare e adhuruar për publikun. Ky adhurim ka ardhur edhe falë ekstravagancës së saj dhe pamjes së mjaftë joshëse. Me ecurinë e çuditshme në fushën e muzikës ajo po i çudit konkurrentët e saj me surprizat që i servir adhuruesve të muzikës.
Sfidon veten edhe në filmin ‘Rekrutimi’ të Bleri Gjocit. Dhe ne këtë moment që ne po flasim, është në biseda për një film tjetër… të shohim se si do të shkojë.
“Nuk jam e bukur por u pëlqej meshkujve: nuk më pëlqen joshja e shtirur, përpiqem të josh me ironi”,- rrëfen Drenusha. Kur bëhet fjalë për joshjen ajo shprehet: Është më e thjeshtë të shfaqësh trupin, por jo shpirtin.
Por këngëtarja shprehet e hapur edhe ndaj zhgënjimit dhe vjen me një intervistë për telegrafin tonë pa dorëza, duke ndarë edhe ndjesitë më të brishta me ne.
Drenusha, si po i kaloni këto ditë?
Këto ditë, mund të them se ka qenë një periudhë e ngjeshur, për sa i takon udhëtimeve jashtë dhe përgatitjeve për klipin e ri e kështu me radhë. Duke qenë se fundjavat janë të zëna me aktivitete, unë zgjedh fillimin javës për të pushuar. Megjithatë dua të theksoj se pushimet janë tepër të rëndësishme, pasi çdokush ka nevojë për pak çlodhje, ku mbushesh me energji të reja, qëndron larg rutinës së përditshme dhe në të njëjtën kohë të vijnë dhe ide të reja.
Shoh se ke mjaft fotografi, është pasion apo hobi?
Fotografitë i kam fiksim, është pasioni i im dhe nuk ka ditë që të mos fotografohem, nuk ri dot pa to. Unë jam fotomodelja e parë kosovare e ftuar nga Fadil Berisha.
Po kënga ku futet?
Në fakt, dëshira ime e vërtetë është që të merrem me sfilata, por e shoh se është e pamundur për t’u ushtruar këtu, nuk ka treg. Më pas thashë të provoja njëherë këngën, mbase nëpërmjet këngës do të gjeja atë që më pëlqen mua.
Kushdo që e ka parë kripet “Te ajo”, “S’ka”, etj., më ka komplimentuar. Është një hap më shumë për mua, nga ana profesionale. Përfshihet në një prej synimeve të mia të momentit dhe ja ku e kam realizuar. Janë klipe bashkëkohore, me një stil shumë urban.
Mendon se e gjete atë që ëndërroje?
Kjo eksperiencë më pëlqeu shumë.
Do ta vazhdosh edhe më pas këngën?
Po, madje unë jam gati për të nxjerrë albumin tim të parë.
A të duket e vështirë kjo iniciativë e re?
Aaa… jo. Si fillim e pata pak të vështirë, por tani jo.
Këngët që keni kënduar, kanë qenë të gjitha të natyrës suaj?
Sigurisht, në të kundërt nuk do t’i kisha kënduar për asnjë arsye në botë.
Duke u nisur nga pamja që ke, mendon se patjetër të lodhin djemtë?
Unë gjithnjë dal me makinë dhe djemtë nuk e kanë këtë mundësi, në këmbë është e pamundur të më shohin. Për këtë arsye e lë makinën tek shkallët e lokaleve apo dyqanit ku unë shkoj.
Nuk ke pasur bezdisje prej tyre?
Jo, bezdisje jo, por thjesht komplimente.
Nuk ka pasur ndonjë djalë të marrosur pas teje?
Nuk e di. (qesh)
A e konsideron fat pamjen tënde, apo do të më thuash sloganin që përdorin të tëra miss-et, “mençuria është vlera më e madhe”?
Është e vërtetë që ndihmon shumë pamja e bukur.
Po ti vetë, e ke përdorur këtë shprehje?
Jo, nuk e kam thënë, madje të jesh e bukur është shumë fat, sepse gjithandej i ke rrugët e hapura.
Përdor veshje shumë provokuese, nuk të sjell shqetësim ky stil?
Jo, përkundrazi, kështu më pëlqen. Më pëlqen shumë ndërthurja e sportives me ekstravaganten. Por në fakt nuk kam shumë ngacmime nga djemtë, ndoshta nuk u bëj përshtypje.(qesh)
Cili është stili juaj i jetës?
Stili im i jetës është interesant dhe emocional, sepse shumë e re kam bërë hapin e parë në botën e modës dhe të modelimit, andaj ajo është botë e cila sjell mjaft adrenalinë.
Çfarë mendon… çka mendon se ke ti e të tjera nuk kanë?
Mençurinë, para së gjithash…
Je 25 vjeçe, relativisht e pjekur, e bukur, me para, mos më thuaj se nuk je e dashuruar?
Jo, nuk jam.
Ke tip të caktuar bandilli, çka pret nga personi i dashur?
Nuk kam, ndërkaq nga personi i dashur pres dashuri të sinqertë dhe të pakusht.
Je nga ato vajzat që zgjedhin apo nga ato që presin të jenë të zgjedhura?
Qe zgjedhin.
Çfarë është statusi yt emocional?
Hiçfare.
Si e përfytyron djalin e ëndrrave?
Duhet patjetër të jetë i interesant dhe i veçantë, i sinqertë, i kujdesshëm, gazmor, i fuqishëm dhe i butë, të më kuptojë në çdo çast dhe, gjithsesi, të posedojë energji e cila mua më bën të ndihem mirë. Duhet të jetë stabil, të ketë vetëdije reale për veten dhe për botën dhe të jetë i vetëdijshëm që çdo ditë duhet të më bëjë për vete.
A është e vështirë të gjesh një djalë me të tilla cilësi?
Po është, sepse tani ka ardhur një kohë tjetër, si për femrat por edhe për meshkujt. Janë të pavendosur.
Cila është pika që t’i nuk toleron dhe ai të përshtatet?
Ha ha ha, “të mos ma dredh bishtin”, të mos ketë gënjeshtra.
Ti je një “femër ideale” për një mashkull?
Po jam.
E ke vlerën që i kërkon djalit tënd, nuk je “bisht-dredhur”?
Jo, nuk jam (Qesh).
Në çift është mirë të bëhesh njësh me partnerin apo të ruash hapësirat e tua?
Çdo çift dhe çdo njeri ka nevojë për privatësi. Kur ka mirëkuptim dhe dashuri mes njëri-tjetrit, nuk është e nevojshme të dihen mendimet apo passwordet e Facebookut.
E keni të lehtë të falni?
Unë jam një tip zemërbutë dhe fal kur bëhet fjalë për të rregulluar një marrëdhënie ose kur është për të mirën e diçkaje. Jeta është shumë e shkurtër dhe nuk ka kohë për inate.
Cilat fjalë duhet patjetër t’i thotë mashkulli për të të lënë pa fjalë?
Di mirë të dëgjoj, por ma merr mendja se ato që i bëjnë, e jo ato që i thonë.
Çka të dashurit përpiqen të ndryshojnë tek ti?
Ata duan që të jem më e butë dhe t’ju jap më shumë llogari.
Çka mendon… cila është arma kryesore e femrës për të joshur mashkullin?
Bukuria! Gjithashtu është me rëndësi që të ketë çka të tregojë dhe të jetë normale.
Si do ta joshësh mashkullin e ëndrrave tuaja?
Unë nuk bëj joshje. Madje as mashkullin e ëndrrave të mia. Dëshiroj të jem e joshur.
Sipas teje, si do të duhej të dukej mashkulli i përsosur?
Si Johnny Depp, meqë po më pyetni! Shpresoj që bile fantazia të mos jetë e ndaluar (qesh).
Po të bëhesh mashkull vetëm një ditë, çka do të bëje më parë?
Së pari do të doja të kisha një raport me një femër dhe ta shoh se çfarë ndjesie përjeton…
Je romantike, cila është gjëja më “e marrëzishme” që e ke bërë për shkak të dashurisë?…
Unë nuk jam romantike dhe shpesh e vuaj këtë, nuk di të bëj gjëra të marrëzishme për dashurinë.
A ke frikë t’i shfaqësh emocionet?
Nuk kam frikë. Por edhe kam temperament të tillë, edhe po të dëshiroja, nuk do të mund t’i fshihja ato që i mendoj dhe i ndiej.
Vendi i preferuar për të bërë dashuri?
Nuk e zgjedh vendin, mirëpo preferoj enterierin! Domethënë brenda katër mureve.
Nata perfekte me të dashurin është…
…natën, në një shtëpizë në mal. Oxhaku i ndezur…Ehhhh lëre mos më pyet më!
Pozat?
Nuk janë posaçërisht të rëndësishme. Me rëndësi është kualiteti!
Çka mendon për xhirimin e aktit të bërjes dashuri?
Me sa di unë (qeshje), në arkivin privat nuk kam xhirime të tilla! Mendoj se do të isha e ngarkuar 24 orë në ditë! Nuk do të mund të fija e qetë duke menduar se a është në vend të sigurt ai xhirim! Mendoj se alternativa shumë më e mirë është të kesh një pasqyrë të madhe në dhomën e gjumit! (qeshje)
Ç’është ajo që kurrë nuk do ta kuptosh te mashkulli?
As ata vetveten nuk e kuptojnë. Si t’i kuptojmë atëherë ne?
Çka mendon, nëse vajzat e mira shkojnë në parajsë, ku shkojnë të këqijat?
Të mirat shkojnë në krevat.
A mund të ndikojë shopingu në humorin tënd?
Poooo! Jam njëra ndër ato e cila me përgjegjësi konstaton se shopingu ka veprim terapeutik!
A mund të blihet çdo gjë me para?
Sot çdo gjë blihet me para, vetëm lumturia nuk mund të blihet.
A do të ishit fotografuar për magazinën ‘Playboy’ dhe sa do të duhej të fitonit para për ato foto?
Po, për një milion dollarë. Dhjetë për qind…disave në qeveri.
Jeni ithtare e pizhameve seksi apo më shumë dëshironi të flini lakuriq?
Gjithmonë me pizhame, sepse ato vërtet janë të mira dhe të rehatshme. Lakuriq, vetëm verës, madje nëse temperatura është mbi 40 gradë.
Çka është më e rëndë? Një kilogram lesh apo një kilogram hekur?
Shumë keq nëse nuk keni peshojë në redaksi, kurrë nuk do ta mësoj.
Sa e shpërblyer ndiheni në planin profesional dhe atë personal?
Jam e shpërblyer nga Zoti në maksimum dhe e falënderoj për çdo gjë që kam.
/Telegrafi/