Site icon Telegrafi

Drecun: Po rriten gjasat që në Kosovë të gjykohen njerëzit sipas ligjeve e jo përkatësisë etnike

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën , Milovan Drecun, ka deklaruar se marrëveshja për gjyqësorin mes Beogradit dhe Prishtinës si dhe themelimi i dhomave të gjykimit në Kosovë në të cilat do të punojnë gjyqtarët serbë, do të mund të rrisin gjasat që serbët të gjykohen në bazë të ligjeve e jo sipas përkatësisë së tyre etnike.

“Tani do të kemi një situatë ku serbët nuk do të gjykohen sipas përkatësisë etnike, por sipas ligjeve që mbizotërojnë në Kosovë”, ka deklaruar Drecun, duke shtuar se në këtë mënyrë do të shmangen trajtimet e padrejta, siç është rasti i liderit të Iniciativës Demokratike, Oliver Ivanoviq, transmeton Telegrafi.

Ai shtoi se gjykatësit dhe prokurorët serbë deri më 10 janar do të inkuadrohen në institucionet e Prishtinës, ku do të jenë të angazhuar edhe në gjykatën e apelit në Prishtinë.

Drecun nuk beson se pas marrëveshjes më Prishtinën, do të mund të ndryshohet trupi gjykues në rastin e Ivanoviqit.

I pyetur rreth Asociacionit të komunave serbe, ai ka thënë se Beogradi dhe Prishtina nuk kanë biseduar drejtpërdrejt për këtë, por se delegacioni i Serbisë ka biseduar me zyrtarët e Brukselit. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version