LAJMI I FUNDIT:

Drama e shqiptarëve të Maqedonisë

Drama e shqiptarëve të Maqedonisë

Shkupi, qyteti i ndarë më dysh, ku nga njëra anë jetojnë shqiptarë dhe nga ana tjetër maqedonas. Një urë në qendër të qytetit që ndan dy etnitë kryesore, atë shqiptare nga ajo maqedonase. Një urë, që ndan njeriun nga njeriu, thjesht e vetëm nisur nga etnia. Në anën e banuar kryesisht nga shqiptarët, mundeshe të shihje skamje, varfëri, mizerje, rrugë të shtruara keq. Ndërsa, anën e banuar kryesisht nga maqedonasit ishte sikur të shihje “një tjetër shtet”, me zyra, lokale modernë, rrugë të shtruara si në Perëndim…

Isha ulur në një lokal pranë “Çarshisë”, lagje kjo e banuar kryesisht nga shqiptarët dhe që aty mundesha të shihja gjendjen e shqiptarëve të Shkupit. Besnikë e të tradhtuar, krenarë deri në përvuajtje, bujarë e të përjashtuar nga sofër e pushtetit, të shtypur por kurrë të rrëzuar, që në heshtje kapërdinin dhimbjen e përditshme. Shpirtlirë në të shumtën, por që veç shtrydheshin nga darë e një pushteti, që sa duket nuk ndjente as dhimbë, as mëshirë, por “vriste” në heshtje. E, ashtu, dikush i rreckosur, dikush mundohej deri në përshpirtje të mbijetonte e të rronte. Aty, në të hyrë të rrugicës në “Çarshi” mundeshe të shihje një realitet të dhimbshëm, që nuk doje ta shihje, realitetin e shekullit të ri, që veç kohët e kanë sjellë, porse ata shqiptarë ngjanin sikur të ishin po të njëjtët që jemi mësuar ti shohim nëpër fotografi të arkivave të shekullit të kaluar, të mpirë nga darë e pushtetit sllav.

Sepse, shqiptarë të vrarë shpirtërisht e moralisht, vetëm në kohën e robërive, të sistemeve gjakatare sllave mundeshe ti kishe parë. Shqiptarë, thuajse në një gjendje shoku, të heshtur, që mendueshëm rëndshëm ecnin nëpër rrugicë, sikur një gur plumb i rëndë të peshonte mbi qafën e tyre. E, që realisht ai gur ishte në qafën e këtyre shqiptarëve dhe se ky gur ishte pikërisht gur i pushtetit autoritar, hijerëndë, që si fantazmë shfaqej kudo në mjerimin e shqiptarëve.


Në Shkup mundeshe të ndjesh aromën e asaj, se koha e liderëve autoritarë, që udhëheqin politika mizore e deri diktatoriale në Ballkan nuk ka mbaruar. Gruevski është tipiku i liderëve që me politikat e tij vret paqen, rrënon bashkëjetesën, godet pamëshirshëm shqiptarët. Në Shkup, mundeshe të shihje, se koha e regjimeve gjakatare kundër shqiptarëve nuk kishte përfunduar, as dhuna dhe as represioni kundër tyre. Thjesht sot më 2015 politika e tillë ka ndryshuar pamjen, mashtron më bukur, por se dora e fortë, e hekurt e një politike antishqiptare është e gjallë. Madje, më mirë të thuhet se kjo dorë është kaq tinzare, saqë qëllimet e saj nuk i shfaqte hapur, por i zbatonte përmes politikave të ashpra antidemokratike.

Kjo, sepse, nëse dikur kundër shqiptarëve nga sllavët është ushtruar dhunë, represion, diktaturë, burgosje apo deri edhe vrasje, së paku ajo ka qenë më e ndershme, për shkak se ishte krejt e hapur dhe urrejtja ishte “e sinqertë”. Sot, dhuna dhe respresioni nga pushteti ishte i modifikuar. Ajo dukesh tek mizerja e shumicës së shqiptarëve, tek mohimi i të drejtave, lënia pa përdorim të gjuhës kombëtare, politika këto që çojnë vetëm në shkatërrim dhe në degradim, deri në asimilim të disa shqiptarëve. Shembulli më ekzemplar i këtyre politikave ishte ai, që në rrugët e Shkupit, ndodhej një shqiptar, nga Prilepi (qytet në Maqedoni me pakicë shqiptare) që vështirësisht e fliste gjuhën shqipe. Të gjitha këto “mrekulli” ishin dhuratë e Gruevskit, që i ka “gllabëruar” politikanët shqiptarë, duke mbajtur kësisoj peng një etni të tërë, autoktone e tokave të veta.

Qendra e Shkupit, që në fakt duhej të ishte e atillë, që të promovojë paqe dhe tolerancë mes shqiptarëve, maqedonasve apo çdo lloj etnie tjetër që banon në Republikën e Maqedonisë, është në fakt kulmi i tragjedisë së këtij shteti, pasi projekti “Shkupi 2014” është rrënimi i paqes, ndërfetare dhe ndëretnike. Aty, në qendër të Shkupit, ngriheshin njëri pas tjetrit, statuja gjigande, të heronjve të lashtësisë dhe të filozofëve më të shquar të njerëzimit, që sa hap e mbyll sytë, me daltë e me lopatë, ishin bërë “maqedonas”. Tmerr e kaluar tmerrit. Çmenduri e kaluar çmendurisë. Këto statuja ishin marrëzia e një pushteti, që fluturon në mitet e lashtësisë, që manipulon historinë dhe që minon çdo paqe, çdo gjë që flet në emër të njerëzores.

“Shkupi 2014” është në fakt sa projekt qesharak, aq edhe tragjik, ekzemplare e asaj se kujt i mungon identiteti, mundohet ta ngrejë atë, me statuja, me hiperbolizime, me butafori. Maqedonisë i mungon identiteti dhe me statuja, Gruevski përpiqet që të glorifikojë “identitetin maqedonas”. E, për “identitetin e lashtë maqedonas” Gruevski është i gatshëm të bëjë gjithçka, aq sa të pengojë edhe numërimin e shqiptarëve, të vërë në lëvizje të gjithë mekanizmat, “për ti zhytur shqiptarët” dhe për ti parë “të nënshtruar”. Me siguri që Gruevskin e frikëson teza se shqiptarët në një të ardhme jo të largët mund të jenë shumicë në Maqedoni për shkak të lindshmërisë së lartë dhe se ai “i ka marrë masat” që kjo tezë kurrë mos të realizohet.

Duke iu hequr të drejtat shqiptarëve, duke mos i numëruar, duke ushtruar presion e represion, duke “mposhtur” identitetin e shqiptarëve, duke shpallur maqedonasit si me “histori të lavdishme”, e shqiptarët, sikur kanë pak histori, Gruevski është diktatori-liliput, që i lufton parreshtuar shqiptarët. E, me siguri që vetë do ta përmbushë këtë mision, e në mos do të kujdeset që të lërë edhe pasardhës të tillë, që “ti luftojë ashpër shqiptarët”.

Realiteti për shqiptarët e Maqedonisë është dramatik. Edhe pse zyrtarisht janë etni shtet-formuese, shqiptarët e thjeshtë shtypen çdo ditë nga politika e Gruevskit, ndërsa ata që janë në pushtet, bëhen palë me politikat sllave. Sikur të hiqnim një paralele të thjeshtë, rezulton se shqiptarët e Maqedonisë janë më të diskriminuarit në rajon. Shqiptarët në Maqedoni nuk i kanë të drejtat që kanë serbët në Malin e Zi, pasi edhe këto të dytët janë etni shtet-formuese në shtetin malazez, e as që bëhet fjalë ti kenë të drejtat që kanë serbët në Kosovë, edhe pse këto të fundit janë etni pakicë.

Marrëveshja e Ohrit nuk është implementuar dhe gjasat janë që mos të implementohet. Arbën Xhaferi nuk është më. Politika agresive, nacionaliste dhe me dorë të hekurt e Gruevskit vijon të bjerë mbi shpinën e shqiptarëve të thjeshtë e të ndershëm në Maqedoni. Që nga Ohri, Struga, Gostivari, Tetova, Kumanova e Shkupi ndihesh një si fantazmë e zezë, një peshë e rëndë që bie mbi shqiptarët, e që është pushtet i egër që “vret” pandaluar.

Në trend

Më shumë
Publikohen pamje nga vendi i ngjarjes, ku Gjesti kaloi murin rrethues të shtëpisë së Big Brother

Publikohen pamje nga vendi i ngjarjes, ku Gjesti kaloi murin rrethues të shtëpisë së Big Brother

Magazina
Mediat gjermane raportojnë se vëllai dhe motra e Besar Nimanit dyshohen se kanë shtënë nga vetura e zezë

Mediat gjermane raportojnë se vëllai dhe motra e Besar Nimanit dyshohen se kanë shtënë nga vetura e zezë

Boks
Numërohen mbi 67 për qind e vendvotimeve në përfaqësi diplomatike, procesohen rezultatet

Numërohen mbi 67 për qind e vendvotimeve në përfaqësi diplomatike, procesohen rezultatet

Politikë
Jozi me deklaratë të rëndë për Rozana Radin: Çfarë nuk ka bërë me Livian poshtë jorganit

Jozi me deklaratë të rëndë për Rozana Radin: Çfarë nuk ka bërë me Livian poshtë jorganit

Magazina
Trump befason me përgjigjen teksa pyetet nëse mendon ende se Zelensky është një

Trump befason me përgjigjen teksa pyetet nëse mendon ende se Zelensky është një "diktator"

Botë
Veprimi i Gjestit për t’u arratisur, Vesa Luma: Padyshim është fitues i BBVK dhe BBVA - do të ishte më mirë që të vazhdonte karrierën jashtë këtyre mureve

Veprimi i Gjestit për t’u arratisur, Vesa Luma: Padyshim është fitues i BBVK dhe BBVA - do të ishte më mirë që të vazhdonte karrierën jashtë këtyre mureve

Magazina
Kalo në kategori