Komuna e Dragashit ka marrë vendim për krijimin e Grupit Punues që do ta analizojë ndikimin financiar dhe buxhetor të Kontratës Kolektive për vitin fiskal 2025.
Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Ekzekutivit komunal, bazuar në kërkesën e Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Sipas njoftimit, Qeveria Komunale ka mbajtur mbledhjen e radhës për të diskutuar për vlerësimin financiar të Kontratës Kolektive për vitin 2025, pastaj për caktimin e detyrave për përgatitjen e projekteve kapitale për vitin 2025 dhe eventuale.
“Në pikën e parë të rendit të ditës, bazuar në kërkesën e Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe rëndësinë e implikimit financiar të Kontratës Kolektive në Buxhetin e Komunës, u mor vendim që të krijohet Grupi Punues, i cili deri në fund të këtij muaji, do ta bëjë vlerësimin financiar dhe të implikimeve buxhetore që mund të ketë Kontrata Kolektive për vitin fiskal 2025”, thuhet në njoftimin e Komunës së Dragashit, raporton Telegrafi.
Ndërkaq në pikën e dytë është shqyrtuar lista e investimeve kapitale për vitin 2025, si dhe janë caktuar detyrat dhe përgjegjësitë për zyrtarët që do të merren me përgatitjen e këtyre projekteve kapitale.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ditë më parë, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e rëndë financiare të komunave, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga Qeveria e Kosovës për të parandaluar kolapsin financiar dhe bllokimin e projekteve kapitale për vitin 2025.
Sipas AKK-së, komunat rrezikojnë mbylljen e xhirollogarive bankare dhe mungesën e fondeve për investime kapitale, si pasojë e detyrimeve financiare të grumbulluara nga zbatimi i kontratave kolektive.
Ndërsa Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka bërë të ditur se ende pa përfunduar muaji shkurt, janë bërë 23,118 lëndë përmbarimore që janë dorëzuar kundër komunave në Thesar për kontratën kolektive.
Sipas tij, shuma e kërkuar për përmbarim është 35.8 milionë euro, ku 25.6 milionë janë për borxhin ndaj përfituesve, kurse 10.2 milionë euro janë për tarifat e përmbaruesve. /Telegrafi/