LAJMI I FUNDIT:

Draftligji për FSK-në gjatë kësaj jave do të dërgohet në Qeveri

Draftligji për FSK-në gjatë kësaj jave do të dërgohet në Qeveri

Draftligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës, me të cilin po mendohet t’i ndihmohet procesit të themelimit të ushtrisë së Kosovës, pritet që gjatë kësaj jave të dërgohet në Qeveri, ndonëse ishte paraparë që i njëjti të dërgohet gjatë ditës së sotme.

Kjo shtyrje ka ndodhur pasi që Ministria e Financave ende nuk e ka harmonizuar me kornizën afatmesme të shpenzimeve për periudhën 2019-2021 të Qeverisë së Kosovës.


Ndërsa, as Ministria e Integrimeve nuk e ka dhënë ende pëlqimin nëse draftligjet janë të harmonizuara me legjislacionin e BE-së.

Ibrahim Shala, drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun në FSK ka thënë për KosovaPress se Ministria me kohë i ka bërë kërkesat te Ministria e Financave për deklaratë financiare të kostos buxhetore si dhe dhënies së pëlqimit nga Ministria e Integrimeve Evropiane, që draft ligjet janë të harmonizuara me legjislacionin e BE-së.

“Aktualisht pritet që Ministria e Financave, ta harmonizojë së shpejti me KASH-in (Korniza Afatmesme e Shpenzimeve për periudhën 2019-2021) të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Sipas premtimeve që kemi nga këto dy ministri, Draft Ligjet e kompletuara gjatë kësaj jave do të dërgohen në Qeveri”, tha Shala.

KosovaPress ka provuar të marrë një prononcim nga zyrtarë të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Integrimeve Evropiane rreth asaj se kur pritet t’i japin rekomandimet, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur në telefonatat e redaksisë.