LAJMI I FUNDIT:

Dr. Mirvete Aliu – Shabani, gjinekologe dhe obstetër

Dr. Mirvete Aliu – Shabani, gjinekologe dhe obstetër

Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com
Për shumë pyetje, ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.

Dr. Mirvete Aliu – Shabani,
gjinekologe dhe obstetër


Përshëndetje. Jam 23 vjeçare dhe ciklin menstrual e kam të rregullt, ndërsa këtë muaj më janë vonuar një javë.
Bëra testin e shtatzënisë dhe rezultoi pozitiv. Herën e fundit që kisha kontaktin seksual, ka qenë me datën 17 të muajit janar. Jam e fejuar dhe gjatë kontaktit që kam pasur, nuk ka qenë një marrëdhënie në kuptimin që të ndjehet kënaqësia seksuale, sepse vetëm një kontakt më parë e kisha humbur virgjërinë dhe, pastaj më erdhi cikli normalisht.
Në çfarë jave mund të jem shtatzënë dhe çfarë duhet të bëj për ndërprerjen e saj?
Kam dëgjuar për një pilulë që shkakton ndërprerjen e shtatzënisë dhe dua të di a është e vërtetë, si merret dhe a jep efekte anësore kjo shtatzëni e ndërprerë?
Ju lutem, më ktheni përgjigje.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Pasi që juve u janë vonuar menstruacionet dhe testi i shtatzënisë është pozitiv, bëhet fjalë për shtatzëni. Java e shtatzënisë caktohet në bazë të menstruacionit të fundit. Llogaritni prej ditës së parë të menstruacionit (dita e parë e fillimit të gjakderdhjes menstruale) deri tani dhe do të kuptoni se në cilën javë të shtatzënisë jeni. Për këtë më mirë është që të vizitoni gjinekologun dhe ai ose personeli ndihmës bëjnë këtë llogaritje më saktë.
Ndërprerja e shtatzënisë mund të bëhet në mënyrë legale deri në javën e 10-të (në Kosovë,) kurse në Gjermani deri në javën e 12-të.
Ekzistojnë disa metoda për të ndërprerë shtatzëninë. Mund të bëhet me pastrim të mitrës me vakuum ose kirete (gërryerje të mitrës) me narkozë. Këtu duhet theksuar se praktika e abortit (pastrimit) të mitrës e aplikuar në shumicën e spitaleve në Kosovë pa narkozë ose vetëm me narkozë lokale, është e papranueshme. Femrat të cilat kanë përjetuar një gjë të tillë, janë të traumatizuara. Një gjë e tillë, nuk praktikohet në Gjermani, andaj as në Klinikën Gjinekologjike Gjermane në Prishtinë. Ndërprerja e shtatzënisë mund të bëhet edhe me preparate. Preparati i cili jepet, shkakton kontraksione të mitrës si dhe e zgjeron (hapë) qafën e mitrës. Ky medikament duhet të merret në prani të mjekut dhe të nesërmen mund të vijë deri tek një gjakderdhje vaginale. E gjithë kjo mund të bëhet ambulatore, mirëpo gjithsesi nën kontakt me gjinekologun për shkak të gjakderdhjes së shtuar që mund të paraqitet ose ndonjë komplikacioni tjetër (në rast të alergjisë në medikamente, sëmundjes kronike të veshkës, astma – ku ky medikament nuk duhet të aplikohet). Zakonisht pas abortit medikamentoz, gruaja ka gjakderdhje deri në dy javë. Shpesh kur aplikohet kjo formë e abortit, në fund sërish nevojitet që të pastrohet mitra në mënyrë mekanike. Të gjitha femrat me grupin e gjakut Rh negativ, patjetër duhet të marrin injeksionin me Anti D-Imunoglobuline.


E nderuar. Para 3 muajsh kam pas një abort spontan në javën e 5-të të shtatzënisë dhe nuk kam pas nevojë për pastrim. Tani ngela përsëri shtatzënë, kisha sekrecione kafe. Bëra kontroll, isha në javën e 4-të, vazhdova mjekimin. Mirëpo, edhe pse me mjekim më kapën ca dhimbje të forta barku, në mbrëmje më del një copë mishi.
Si mendoni ju, kam abortuar apo ka qenë ndonjë gjak i mbledhur (mua më duket si abort, nisur dhe nga përvoja e të parit) dhe vazhdoj akoma të kem dhimbje në fund të barkut. Pse më ndodhin këto aborte, a përbëjnë rrezik?
Pres një përgjigje. Faleminderit

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Çdo gjakderdhje në shtatzëni, pa marrë parasysh javën, duhet menjëherë të kontrollohet dhe të vlerësohet nga gjinekologu. Ka shkaqe të ndryshme pse vjen deri tek kjo. Gjakderdhja vaginale nuk do të thotë menjëherë abort, prandaj drejtohuni tek gjinekologu. Ai sigurisht do të konstatojë se a bëhet fjalë për abort dhe do t’ju jap këshillat e nevojshme. Nëse vërtetë keni pësuar abortin e dytë, gjithsesi keni nevojë për hulumtime më të detajuara pse po vjen deri te ndërprerja e shtatzënisë.


Përshëndetje doktoreshë. Jam në muajin e 4-të të shtatzënisë. Desha të informohem rreth paraqitjes së bakterit Enterococcus spp. Kur kam qenë në muajin e parë, kam bërë strishot cervikale dhe vaginale. Chlamydia ka rezultuar negative, Mykoplasma po ashtu negative dhe Ureaplasma negative. Përshkrimi është ky: pas inkubimit të mostrave në terenet ushqyese 24<48 orë, është izoluar Enterococcus spp.
Kam përdorur Ampicilin 500 mg, 4 herë në ditë. Tani që jam në muajin e 4-të kam përsëritur dhe njëherë këto analiza të cilat kanë rezultuar të njëjta. Desha të di më tepër rreth këtij problemi dhe se sa është i rrezikshëm për foshnjën ky bakter.
Gjithë të mirat.

PËRGJIGJE:
Enterococcus faecalis (strptococcus faecalis) është një baktere gram pozitive dhe banor normal i florës së zorrëve dhe nuk shkakton ndonjë infeksion. Për shkak të anatomisë së organeve gjenitale femërore mund të vjen deri te kalimi i tij në fshikëzën urinare dhe në vaginë.
Në strishon e juaj është konstatuar prezenca e tij në vaginë dhe terapia e dhënë është adekuate. Shpesh terapia ndaj këtij bakteri është e pasuksesshme, sepse paraqitet sërish si në rastin juaj. Sa i përket shtatzënisë, ky bakter nuk paraqet ndonjë problem të madh (nuk rrezikon shtatzëninë), por gjithsesi gjatë procesit të lindjes duhet të trajtoheni me antibiotikë për të parandaluar ndonjë infeksion të mundshëm te i porsalinduri.
Me respekt, Dr Mirvete Aliu-Shabani.


Unë ju shkruaj nga Suedia dhe pyetja ime ka të bëj me gruan time. Cikli i menstruacioneve i ka kaluar 12 ditë. Para 5 dite kam blerë në barnatore testin e shtatzënisë në të cilin shkruan se është 99 përqind i sigurt, i cili ka dalë se nuk është shtatzënë.
Mirëpo, tani ka filluar t’i fryhet barku ose të them, ndoshta të ënjtet. Gruaja para tri dite vizitoi mjeken e cila e këshilloi të pres edhe dy javë, por nuk i shkroi ilaçe. Tash pas dy dite gruaja kishte dhembje në bark dhe sërish viziton të njëjtën mjeke dhe, që të dy herët në ambulancë i kanë bërë testin e shtatzënisë ku rezultati ishte negativ. Ne kërkuam ndonjë medikament, por ajo i tha prit edhe një javë.
Gruaja vazhdon të ketë dhimbje në bark dhe s’di as vet si t’i ndihmoj.
Ju falënderoj nëse mund të më përgjigjeni sa më shpejt.

PËRGJIGJE:
Dhimbjet e përnjëhershme të barkut mund të kenë etiologji të ndryshme. Vonesa e ciklit menstrual nuk do të thotë që ka të bëjë vetëm me shtatzëni e sidomos te rasti juaj kur ju veç keni përsëritur testin disa herë. Edhe prania e cisteve mund të shkaktojë çrregullim të menstruacioneve. Prandaj preferohet kontroll gjinekologjik me ultrazë vaginal në mënyrë që të përjashtohen komplikimet e mundshme nga cistet në vezore si dhe ndonjë shkaktarë tjetër i ankesave.
Sa u përket dhimbjeve të fundbarkut, nëse ato janë të theksuara nganjëherë preferohet të bëhet Laparoskopia diagnostifikuese për të parë se çka po ndodhë ne abdomen. Sidoqë të jetë, përmbajuni këshillave të mjekut tuaj.


Ju përshëndes dhe ju përgëzoi për ndihmën tuaj. Jam 28 vjeçe, e martuar qe tri vite. Pas një viti martesë mbeta shtatzënë, por në muajin e 7-të të shtatzënisë, bebja më vdiq në bark dhe kështu e linda një fëmijë të vdekur me shumë vështirësi, sepse atë natë pata rritje të tensioni të gjakut. Tre muaj pas lindjes kam përdorë ilaçe kundër tensionit.
Tash 7 muaj dua të mbes shtatzënë, por pa sukses. Mjekët po më thonë që kam vezoret policiste, nuk po plasin. Kam përdor Primolut, Orgametril 3 muaj, e gjatë kohës së përdorimit të hapave, ciklin e kam pasur në çdo 21 ditë.
Por, një muaj mjeku më tha që jam mirë dhe m’i ndërpreu hapat, e atë muaj më erdhën ditën e 13-të.
Tani unë shkova në vizitë në ditën e dytë të ciklit, mjeku më tha që në anën e djathtë e kam vezoren e rritur d-36-42mm, ndërsa ana e majtë p.v, dhe më dha të përdori hapa Diane -35.
Kam bërë edhe këto analiza: strisho cervikale per chlamydia. Rezultati: testi i shpejtë për chlamydiae është: negativ.
Strisho vaginale dhe cervikale për baktere patologjike. Rezultati: Pas kultivimit nuk është izoluar florë bakterore patogjene.
Papatesti: Shkalla e pastërtisë: 3; trihonoma negativ: Candida negativ;
papanicolaou i modifikuar -ndryshime beninje.
Komenti: Qeliza dproliferative inflamatore sipërfaqësore, intermediare të shpërndara, endocervikale metaplastike të rralla, mukus, detritus qelizor, bakterie, masë granulociteve dhe monociteve.
Konstatimi Citologjik
Llojet e Qelizave: Superficiale ++(+)+; Intermediale +(+)++; Endocervikale ( +)+++; Metaplastike (+)+++; Leukocite +++(+); Histiocite ++(+)+
Pas këtyre rezultateve, mjeku më ka dhënë të përdor këto hapa vaginale: Polygynax; mirëpo edhe para 6 muajsh kam bërë edhe analizat e hormoneve, por edhe ato kanë dalë mirë, brenda suazave normale.
Unë desha të di se, ku është problemi te unë, çka më preferoni, a mundem unë të mbes shtatzëne?

PËRGJIGJE:
Vezoret policisitike, siç thoni ju, mund të jenë shkaktar i mosmbetjes shtatzënë. Ju provoni të mbeteni shtatzënë tash 7 muaj, por të shumtën e kohës keni marrë terapi hormonale kontraceptive, andaj edhe nuk pritet të mbeteni shtatzënë.
Rezultatet bakteriologjike janë në rregull.
Ju preferoj që të ndërprisni çdo lloj terapie që keni (në lidhje me problemet gjinekologjike) dhe gjithsesi mund të mbeteni shtatzënë.


Përshëndetje, jam 35 vjeçe, kam tre lindje, dy muajt e fundit gjatë ciklit mujor kam shumë dhimbje në fund te barkut dhe në shpinë, gjë që nuk e kam pas asnjëherë prej kohës që e kam lindë fëmijën e parë para 8 vitesh, si dhe në anën e majtë të barkut paralel me kërthizën më lëviz herë pas here diçka sikur gjatë shtatzënisë kur beba lëviz në bark. Isha tek gjinekologu im dhe bëra një ultrazë, ai më tha se vezorja e majte më është rrotulluar, kthyer mbrapsht, pastaj me udhëzoi ta bëj kolposkopinë, dhe analizat lab, + CRP. Të gjitha dolën mirë, pastaj bëra një ultrazë të abdomenit, që doli mirë, përveç se në vezoren e majtë e ka pa një ciste shumë të vogël.
Doktoreshë, pres mendimin tuaj.

PËRGJIGJE:
Cistet e vezoreve në shumicën e rasteve (me përjashtim kur kanë madhësi shumë të madhe) diagnostikohen gjatë kontrolleve rutinore gjinekologjike (me ultrazë) për arsye se nuk japin kurrfarë simptomash. Mirëpo nëse ka ardhur deri tek ndonjë komplikacion, si psh. pëlcitja e cistes, kjo përcillet me dhimbje akute të barkut ku mundet me shkaktuar gjakderdhje të madhe në rast se gjatë pëlcitjes së cistes dëmtohet edhe ndonjë enë e gjakut. Kjo te ju është përjashtuar për arsye se keni bërë analizat lab. dhe kanë qenë në rregull (vlera e Hb). Mirëpo edhe rrotullimi i cistes përcillet me dhembje të përnjëhershme të barkut, prandaj është shumë me rëndësi ekzaminimi monografik dhe në raste të tilla duhet intervenuar me operacion (Laparoskopi) dhe të pengohet dëmtimi total i vezores. Te ju është vërejtur në ultrazë një ciste e vogël, andaj nuk ka vend për shqetësim.

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori