LAJMI I FUNDIT:

Donika Rudi përfaqëson Kosovën në Zvicër

Donika Rudi përfaqëson Kosovën në Zvicër

Kompozitorja kosovare e muzikës elektroakustike dhe instrumentale, Donika Rudi, së fundi ka marrë ftesë për të marrë pjesë në Festivalin Evropian të Muzikës Bashkëkohore në Lucern të Zvicrës, i cili tashmë ka filluar rrugëtimin dhe do të përmbyllet më 21 të këtij muaji.

Rudi do të prezantohet në Festivalin e Lucernit në cilësinë e mysafires dhe “ambasadores” së muzikës bashkëkohore të Kosovës, përkrah emrave të njohur të muzikës nga vende të ndryshme të botës, si dhe drejtorë të festivaleve. Ndër ta janë: Patrick de Clerk, Jasques Menetrey, Ulli Fussengger, Joel Bons, Andrew Burke, Heike Hoffmann.

Rudi, e cila është edhe drejtoreshë artistike e festivalit ndërkombëtar të Prishtinës “Remusica”, e ka cilësuar si mjaft të rëndësishme pjesëmarrjen në këtë festival.


“E rëndësishme është që përpos mundësisë së përcjelljes së një programi mjaft atraktiv, do të krijohet mundësia e shkëmbimit të përvojave në organizimin e festivaleve të muzikës moderne. Do të provoj të kontaktoj me muzikantë, artistë të rëndësishëm të shteteve të tjera, që do të jenë, dhe të shikojmë mundësinë e bashkëpunimit me festivalin ‘Remusica’”, ka thënë Rudi.

Festivali i Lucernit është një ndër festivalet më të mëdha evropiane të muzikës moderne, i themeluar në vitin 1988. Në festival deri tani kanë marrë pjesë emra të njohur të muzikës, siç janë: Claudio Abbado, Simon Rattle, Gustavo Dudamel, Heinz Holliger, pastaj orkestrat e njohura, si Filarmonia e Berlinit, Filarmonia e Vjenës etj. /Kohanet/ Telegrafi/