LAJMI I FUNDIT:

Doli numri i ri i revistës “Metafora”

Doli numri i ri i revistës “Metafora”

Numri më i ri i revistës së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës “Metafora” (1, 2013) tashmë ndodhet në qarkullim.

Dy janë temat kryesore që trajtohen në punimet e botuara: Vepra letrare e Adem Demaçit dhe Hapësira shqiptare dhe letërsia, të cilat ishim tema të sesioneve letrare që organizoi vjet LSHK-ja në manifestimet letrare në shenjë të 100-vjetorit të Shtetit Shqiptar.

Punimi i prof. dr. Shyqri Galicës titullohet “Vepra letrare e Adem Demaçit”, që është paraqitur në kuadër të sesionit letrar të takimit letrar “Esad Mekuli”, mbajtur në dhjetor 2012 në Prishtinë, ndërsa akad. Rexhep Qosja ka botuar një fragment të punimit të tij të përfshirë në kompletin e veprave, “Adem Dema – shkrimtari për të gjitha kohët”. Prof. dr. Myrvete Dreshaj shkruan për komplementaritetin e veprës së Adem Demaçit, ndërsa prof. dr. Sadri Fetiu për simbolikën mitiko-fantastike të prozës së tij e prof. dr. Shefkije Islamaj për ligjërimin artistik në prozën e Adem Demës.

Ndërkaq, në kuadër të sesionit letrar “Hapësira shqiptare dhe letërsia”, që u mbajt në manifestimin ndërkombëtar letrar “Drita e minatorit” në Mitrovicë, prof. dr. Agim Vinca ka paraqitur punimin “Letërsia e sotme shqipe dhe hapësira kulturore shqiptare”, prof. dr. Astrit Bishqemi, “Letërsia jonë për fëmijë e të rinj të bëhet e krahasueshme me atë perëndimoren”, prof. dr. Emin Kabashi, “Mungesa e hapësirës kombëtare dhe letërsia”, Ahmet Ahmeti, “Letërsia shqipe e Çamërisë dhe studimet aktuale”, kurse dr. Arben Hoxha Hapësira si përbërës material i shtetit-komb dhe hapësira kombëtare si përbërës i identitetit letrar”.

Në këtë numër janë botuar edhe poezitë që morën çmime në këto manifestime letrare të autorëve: B. Neziri, S. Gjergji, B. Maliqi, A. Vinca, M. Mara, S. Idrizi. Por janë botuar edhe vargje të autorëve të tjerë: M. Avdyli, A, Zaplluzha, S. Shasivari, D. Shala, F. Ahmeti, H. Hyseni, B. Balliçi, R. Haziri, R. Begaj, A. Desku, A. Zejnullahu, E. Ceraja, A. Mehmeti, V. Veliu, A. Ibrahimi, A. Dehari, B. Ceraja, R. Ramabaja, S. Basha, Sh. Hasani, B. Toda, D. Fylli, B. Zyberaj, R. thaçi, S. Elmazaj, N. Prokshi, poezi të F. Reshpes, të A. Bozaxhiut e të V. A. Muçës. Në këtë numër do të gjeni edhe krijime poetike të E. Loshajt, të I. Tahirajt, të K. Zylos, të A. Kadollit, të F. Paplekës e të V. Ujkos, si dhe poezi të shkrimtarit të shquar amerikan Ernest Heminguej. Është botuar dhe proza “…Drejtori i burgut dhe si e fitova qelinë nr. 19…” e Adem Demaçit, esetë “Agresion në Bosnjë më nuk do të ketë” e Arif Halitit dhe “Libri është përmendore” e Sadik Përveticës, tregimi “Makthi i një ëndrre” i Mehmet Bislimit, punimi “Letërsia në skenë” i prof. dr. Josif Papagjonit, një fragment i dramës “Sodom Sadomazo” i dramaturges së re Dhurata Hoti, punimi “Kontribute epikologjike e etnologjike” i prof. Adyl Kadollit e punime të tjera. Në këtë numër, janë botuar edhe vizatime e skulptura të artistit Ismet Jonuzi. /Telegrafi/