Dogana pezullon deklarimin e mallrave me procedurë të thjeshtëzuar

“Kjo sjellje jo korrekte e këtij institucioni karshi bizneseve tona me të vetmin qëllim realizimin e profitit të dikujt duke përdor institucionin - shtetin. Realizimi i këtyre marifeteve të Doganës është bërë me nguti vetëm e vetëm që personat e përfshirë në këtë interes mos ta humbin edhe një minutë për të realizuar profitin e tyre ilegal me ndihmën e institucionit shtetëror – Doganës së Kosovës”, tha një biznesmen për Telegrafin.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavilevci ka thënë se deklarimi i mallrave me procedurë të thjeshtëzuar lejohet në momentet kur zhdoganimet e mallrave bëhen në kufi.
Sipas tij, me aplikimin e sistemit të ri, në pikën doganore në Vërmicë është pezulluar deklarimi i mallrave me procedurë të thjeshtëzuar për të gjitha kompanitë.
“Për arsye se më nuk bëhen doganimet në kufi, procedura e thjeshtëzuar ka qenë një kufi faktik, tashti doganimet kanë kaluar në terminalet e brendshme”, shprehet ai për Telegrafin.
Ai ka theksuar se kompanitë janë paralajmëruar se do të pezullohen procedurat e thjeshtëzuara para dy javëve, dhe kjo sipas tij, për shkak se është ndryshuar sistemi.
“Nëse një kompani e Prishtinës importon mallra prej Shqipërisë nëpër pikën doganore në Vërmicë ajo nuk e ka të domosdoshme që zhdoganimin ta kryej në Vërmicë, por këtë mundet ta bëjë në terminalin që e ka më afër. Shumë kompanive me këtë gjë iu ka lehtësuar puna”, ka shtuar Stavilevci. /Telegrafi/





































