Sipas burimeve ushtarake perëndimore, Vladimir Putin është përfshirë kaq personalisht në luftën e tij në Ukrainë, saqë po merr vendime operacionale dhe taktike “në nivelin e një koloneli”.

Në këtë drejtim, vë në pah The Guardian, përcjell Telegrafi, presidenti rus po ndihmon në përcaktimin e lëvizjes së forcave të tij në Donbas, shtuan ata, ku javën e kaluar pushtuesit pësuan një disfatë të përgjakshme ndërsa u përpoqën në disa raste të kalonin një lumë strategjik në lindje të Ukrainës.

Burimet shtuan se Putini është ende duke punuar ngushtë me gjeneralin Valery Gerasimov, komandantin e forcave të armatosura ruse, në kontrast me pretendimet e bëra nga Ukraina javën e kaluar se shefi ushtarak ishte lënë mënjanë.

“Ne mendojmë se Putini dhe Gerasimov janë të përfshirë në vendimmarrjen taktike në një nivel që normalisht do të prisnim të merreshin nga një kolonel apo një brigadier”, ka thënë burimi ushtarak, duke iu referuar betejës së vazhdueshme në lindje të Ukrainës.

Njeriu që e njeh Putinin më mirë se shumica e diplomatëve flet për takimet me presidentin rus - tregon paralajmërimin që ai u bëri rusëve në janar Njeriu që e njeh Putinin më mirë se shumica e diplomatëve flet për takimet me presidentin rus - tregon paralajmërimin që ai u bëri rusëve në janar

Ushtria e Moskës deri më tani nuk ka arritur ndonjë përparim në Donbas, ku ata kanë zhvilluar një ofensivë për një muaj që ka dështuar disa herë për të rrethuar forcat (në numër më të vogël) ukrainase.

Sidoqoftë, The Guardian thekson se nuk është dhënë asnjë detaj tjetër për të mbështetur këtë deklaratë, megjithëse u nënkuptua se vlerësimi për përfshirjen e ngushtë personale të Putinit bazohej në informata që janë marrë.

Kolonelët në ushtrinë amerikane dhe brigadierët në ushtrinë britanike zakonisht komandojnë një brigadë, njësi të përbëra nga një grusht batalionesh – ky i fundit është i barabartë me njësinë më të vogël operative në ushtrinë ruse.

Ushtria ruse operon në një mënyrë më nga lart poshtë në krahasim me homologët perëndimorë, me udhëzime që zakonisht u dërgohen gjeneralëve në terren.

Por, agresioni “i lëkundur” i Moskës ka nënkuptuar që ajo është detyruar të dërgojë gjeneralë më afër vijës së frontit, ku deri më tani raportohet se janë vrarë 12 të tillë, sipas forcave të armatosura ukrainase. /Telegrafi/