LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Reduktimet e rrymës nuk do të tolerohen

Haradinaj: Reduktimet e rrymës nuk do të tolerohen

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar sërish ndaj reduktimeve të energjisë elektrike, duke thënë se janë të papranueshme dhe nuk do të tolerohen, sidomos tani gjatë periudhës së dimrit.

Ai ka thënë se nga 15 dhjetori do të ketë normalizim të furnizimit më energji elektrike.


Kryeministri Haradinaj ka shprehur shqetësimin për situatën energjetike të ditëve të fundit dhe ka kërkuar një mobilizim maksimal të të gjithë akterëve përgjegjës për stabilitet të furnizimit me energji elektrike të amvisërive dhe bizneseve në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës ka qenë e përkushtuar dhe e angazhuar që të krijojë ambientin dhe kushtet e përshtatshme për prodhimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë, që në fillim duke e zgjidhur problemin e shpronësimeve dhe tani me plotë përgjegjësi dhe kompetencë kërkon që edhe akterët tjerë të përmbushin obligimet e tyre dhe për Kosovën të mos jetë më problem furnizimi me energji elektrike”, ka thënë ai.

Haradinaj ka kërkuar nga përfaqësuesit e institucioneve përkatëse që të krijohet një mekanizëm për t’iu qasur këtij problemi që të mos ketë më raste të ndërprerjeve me orë të tëra.

Në veçanti është theksuar se sezoni i dimrit i rritë kërkesat dhe kërkon një angazhim maksimal për të siguruar furnizim të rregullt dhe të mjaftueshëm për të gjithë me energji elektrike.

Në këtë takim u sigurua që me rikthimin në funksion të Bllokut B1 nga 15 Dhjetori i këtij viti, do të ketë stabilizim të furnizimit me energji elektrike.

Kryeministri Haradinaj ka kërkuar nga përfaqësuesit e institucioneve që të bashkëpunojnë ndërmjet vete, të komunikojnë dhe bashkëveprojnë për të mirën e qytetarëve. /Telegrafi/