Nuk di nëse do të vazhdojë me këngën operistike apo të lehtë, nëse do të rrijë apo do të lërë Shqipërinë. 16-vjeçarja, fituese e festivalit në RTSH, sapo ka lënë studion e regjistrimit, ku një natë pas festës ka punuar për variantin e këngës që shkon në Eurosong. Kush ishin rivalët e saj në finale? Një ditë pas marrjes së trofeut, 16-vjeçarja Kejsi Tola, nxënëse e kantos në Liceun Artistik, viti i tretë, dha një intervistë për “Shekullin”.
Kejsi, çfarë rruge ke përshkuar për të mbërritur deri këtu, fituese edicionit të 47-të Festivalit në RTSH?
Unë kam filluar të këndoj kur isha 10 vjeç. Kam marrë pjesë në festivalin e Zërave të Rinj për fëmijë, që ka qenë për interpretuesit dhe më shumë vlerësohej vokali. Aty kam fituar çmimin e parë. Pastaj kam marrë pjesë në festivalin e Tiranës, ku kam fituar çmimin e dytë.
Një vit më vonë, po në këtë festival jam vlerësuar me çmim të parë dhe po në të njëjtin vit në festivalin e fëmijëve në Shkodër kam marrë çmimin e parë. Më pas mora pjesë në edicionin e parë të Gjeniut të Vogël dhe në vijim tek “Ethet e së premtes”. Në pranverë mora pjesë me këngën time në Top Fest për të ardhur tek debutimi në festival.
Për çfarë flet kënga fituese?
Është një këngë dashurie. “Më merr në ëndërr” është malli mes dy njerëzve që dashurohen dhe duke qenë se nuk takohen dot me njëri-tjetrin të paktën të takohen në ëndërr.
Ti je tepër e re dhe besoj nuk ke përjetuar ndonjë histori të madhe dashurie. Çfarë emocioni ke dhenë nga vetja gjatë interpretimit?
Nuk kam dhënë asgjë nga vetja ime. Kënga nuk ka lidhje me mua. Nuk ka asnjë emocion personal, vetëm thjesht interpretim muzikor.
Nga erdhi bashkëpunimi me dy autorë që e kanë prekur një herë skenën e Eurosong-ut?
Nuk ka qene zgjedhja ime. Ishin ata që më kërkuan mua, profesor Edmond Zhulali, më saktë. Unë me vajzën e tij jemi në një shkollë edhe ajo ka qenë ndërmjetësja që ka bërë si të thuash lidhjet me profesor Mondin.
Cilët t’u dukën konkurrentët më të fortë në festival?
Nuk mund të them konkurrentë, por këngët që më pëlqyen ishin dueti Luiz Ejlli- Juliana Pasha, kënga e Adelina Thaçit dhe kënga e Marjeta Billos.
Nëse do të ishe në juri kujt do t’ja jepje çmimin e parë?
Nuk e di. Nuk mund të them se kujt. Prandaj thashë që më pëlqyen këto tri këngë. Nuk është se më pëlqeu vetëm njëra në veçanti.
Si e shpjegon faktin që festivali i fundvitit është shndërruar në një trampolinë për artistët e rinj?
Nuk e di. Mendoj se është rastësi, të paktën për mua. Nuk është se bëhet me qëllim kjo gjë. Thjesht kanë qenë këngët të bukura, janë kënduar nga këngëtarë të mirë, janë pëlqyer nga juria dhe publiku edhe prandaj kanë fituar. Kjo është një gjë shumë e mirë, të paktën për ne që jemi të rinj sepse është një lansim shumë i mirë.
Për ty nuk është vetëm kaq, do të përfaqësosh vendin tënd në Festivalin Evropian.
Është një përgjegjësi shumë e madhe për mua dhe më duhet të punoj shumë përpara se të nisem në Moskë
Mbeten edhe katër muaj deri atëherë. Është kohë e mjaftueshme?
Besoj se po.
Në cilën gjuhë do të këndohet atje “Më merr në ëndërr”?
Në anglisht. Teksti ende nuk është shkruar por është vendosur që kënga do të jetë në anglisht.
Sa kohë ke punuar me këtë këngë?
Kënga ka filluar të punohet që në shtator. Këtë muajin e fundit kam punuar më shumë. Ndërsa javën e fundit, pothuajse ditë për ditë.
Ti do të shkosh në Moskë vetëm me zërin tënd apo do të kesh edhe performancë?
Normalisht që dëshiroj të kem një performancë, sepse kënga që unë kam është një këngë me ritëm dhe goxha e fortë. Mendoj se do të ishte mirë që të kishte edhe diçka tjetër veç meje në skenë. Po, besoj se do ishte një plus më tepër. Pavarësisht se njerëzit mendojnë se unë jam e urtë si natyrë, por nuk e di, ashtu e kam ndier ashtu e kam bërë.
Në skenë ke qëndruar pothuajse pa lëvizur. Kjo për shkak të emocioneve apo prej të ftohtit?
Më shumë prej emocioneve dhe përgjegjësisë. Sepse ishte nata finale.
Ti sapo dole nga studioja e regjistrimit. Për çfarë po punon?
Po punoj me këngën e festivalit. Po rregulloj pjesë që më vonë kënga të transmetohet në radio. Këto ditë duhet të fillojë transmetimi në radio. Veç kësaj, kënga duhet punuar edhe për në Eurovision dhe duhet bërë që tani. Kënga duhet shkurtuar. Është katër minuta dhe në Eurovision duhet që të jetë 3 minuta. Unë duhet që të mësohem me mënyrën e re të këngës.
Duket sikur fitorja në “Ethe” është më shumë se një çmim?
Mendoj se “Ethet” kanë nxjerrë talente të mira. Si Anjeza edhe Luisi janë këngëtarë shumë të mirë edhe duke ju bashkangjitur edhe një këngë e mirë, absolutisht nuk kishte si të mos fitonin. Kështu që mendoj se ka qenë edhe me mua, kënga dhe të gjithë komponentët e saj kanë krijuar një lidhje, një ndërthurje shumë të mirë.
Festivali i fundvitit është një ngjarje që i zgjon nga gjumi këngëtarët shqiptarë, ndërsa gjatë vitit shohim shumë pak publikime.
Unë nuk e kam provuar ndonjëherë tregun muzikor që të them. Kam qene vetëm në “Ethe” dhe në festival dhe nuk mund të them nëse është më mirë tregu apo festivali. Mendoj se edhe tregu muzikor është i mirë. Megjithatë mirë është që të mos humbasësh edhe nga skena e festivalit, dhe të mos largohesh për një kohë shumë të gjatë nga publiku. D.m.th të rrish larg tij deri sa të vijë festivali. Sepse festivalet kanë distancë nga njëri-tjetri kështu që mendoj se duhet edhe ndonjë këngë e tipit, jo për festival.
Publiku të ka parë të interpretosh në zhanre të ndryshme muzikore. Ti ku ndjehesh më mirë?
Mendoj se muzika pop është ajo që më përshtatet më tepër. Pastaj unë mund të këndoj edhe rrok apo diçka tjetër. Po ngelem te pop-i.
Aktualisht studion për kanto. Mendon se të kënduarit do të jetë profesioni i jetës tënde?
Unë studioj për kanto, në fakt muzikë klasike operistike edhe jam në dilemë pak të madhe se çfarë do të bëj. Të vazhdoj të këndoj muzikë klasike apo muzikën e lehtë. Por mund të them që gjithmonë do të ngelem te muzika. Asnjëherë nuk do të ndahem nga ajo.
Mendon që të realizosh album së shpejti?
Jo. Mua më është premtuar një album nga Top-Channel por nuk e di sa do të realizohet. Në qoftë se do të më jepej mundësia për të bërë një album besoj se do të prisja disa kohë, sepse do doja që këngët të mos bëheshin shpejt por që të mblidheshin disa këngë festivalesh. Pastaj, jam e vogël, kam kohë për të bërë album. Për momentin nuk është synimi im albumi.
Pas përfundimit të shkollës mendon të studiosh jashtë apo të rrish në Shqipëri?
Nuk e di. Kjo është e vetmja dilemë që kam. Varet kë do të vendos të ndjek, muzikën klasike apo atë të lehtë. Do të doja të ikja dhe andej, po nga njëra anë më vjen keq të lë Shqipërinë. Nuk e di.