Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka reaguar lidhur me mosmiratimin e Projektligjit për Rimëkëmbje nga Kuvendi i Kosovës, që ka të bëjë me zbatimin e Pakos Ekonomike në vlerë prej 365 milionë eurove.

Rohde në një shkrim në Twitter ka thënë se, dështimi për herë të pestë i këtij Projektligji është rast i veçantë në Evropë, dhe se qytetarët e Kosovës me të drejtë e presin miratimin e tij.

“Lufta kundër efekteve negative ekonomike të pandemisë është një përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon përpjekje të përbashkëta. Në këtë drejtim është mjaft zhgënjyese, dhe për aq sa kam njohuri, është rast i veçantë në Evropë që për herë të pestë në Kuvendin e Kosovës nuk u votua Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike. Ajo që u duhet urgjentisht të gjithë palëve, është fryma e kompromisit. Qytetarët e Kosovës me të drejtë e presin atë”, ka shkruar Rohde, përcjell Telegrafi.

Në seancën e fundit, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar që ta votojnë këtë Projektligj, ku morën pjesë në votim vetëm 48 deputetë, ndërsa votimi për këtë Projektligj është bartur për seancën e radhës.

Ky Projektligj, po ashtu nuk kishte marrë votat në lexim të parë as në muajin gusht, pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës refuzuan ta votojnë ndonëse ministrja e Financave, Hykmete Bajrami bëri thirrje për votimin e tij.

Qeveria nuk i ka numrat, për të pestën herë dështon miratimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike Qeveria nuk i ka numrat, për të pestën herë dështon miratimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike

Ky Projektligj, parasheh plotësimin e një sërë ligjesh, i cili përfshinë edhe tërheqjen e 10-përqindëshit nga vetë qytetarët nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro. /Telegrafi/