Në Gjykatën Themelore në veri të Mitrovicës ka vazhduar të mërkurën seanca gjyqësore kundër Oliver Ivanoviq i cili dyshohet për vepra të rënda penalë në qytetin e Mitrovicës gjatë viteve 1990- 2000.

Shefki Kasumi në cilësinë e dëshmitarit, ka rrëfyer ngjarjet që kishin ndodhur në vitin 1999. Ai duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit tha se dëshminë e tij e ka dhënë disa herë në UNIMIK në vitin 1999 dhe në vitin 2000, si dhe para Gjykatës Special të Kosovës, transmeton kp.


Kasumi ka thënë se më 14 prill 1999 e ka parë Olver Ivanoviqin të ulur në shkallët e një ndërtese me uniformë të kaltër, në kokë ka pasur një kapelë dhe me maskë në fytyrë.

Në pyetjen e mbrojtjes se nga cila largësi e kishe parë Ivanoviqin ai tha se ka qenë 20 deri 30 metra.

“Më 14. 03. 1999 rreth orës 10:00 ushtria serbe na ka largua nga shtëpitë duke na ndarë meshkuj dhe në rresht kemi kaluar nëpër rrugën e Kovaçëve duke na dorëzuar tek pjesëtarët e policisë të cilët kanë qenë me maska dhe pastaj kanë filluar ekzekutime dhe vrasjet”, ka thënë ai.

Sipas tij, me këtë rast janë vrarë katër persona, Fatmir Mustafa, Avni Abazi, Skender Paqarada dhe një person tjetër emri i të cilit dëshmitarit nuk i është kujtuar.

Kasumi është dëshmitari i katërt nga 18 që do të dëshmojnë në lidhje me ngjarjet e vitit 1999.

Ivanoviq akuzohet se në Kosovë ka kryer krime lufte ndaj popullatës civile shqiptare në vitin 1999. Bashkë me të po akuzohen edhe Dragoljub Delibashiq, Aleksandër Llazoviq dhe Ilija dhe Nebojsha Vujaqiq.

Gjykimi do të vazhdojë nesër me marrjen në pyetje të dëshmitarit Kadrush Abazi.