Që nga fillimi i pandemisë së COVID-19, shumë kompani kanë detyruar punonjësit e tyre të punojnë nga shtëpia – duke shpenzuar më pak para pasi nuk ka udhëtime me aeroplan e as me vetura – e mos të harrojmë lukset nëpër hotele e vila të ndryshme.

E disa gjigant janë ankuar për rënie të hyrave për shkak të kërkesave të vogla, por jo kështu ka ndodhur me kompanitë që merren me transportimin e mallrave me anije gjigante transportuese , të cilëve u janë katërfishuar të hyrat, transmeton Telegrafi.

“Qysh pas tre muajve kur shpërtheu pandemia, kemi regjistruar rritje të mëdha të kërkesave – kurrë diçka të tillë nuk kemi përjetuar më parë në këtë industri”, ka thënë Nills Haupt nga kompania për transportimin e kontejnerëve me anijen gjigante Hapag Loyd.

Në janar dhe shkurt të vitit 2020, thuhej se industria e anijeve ishte goditur rëndë – procesi i prodhimit ishte ndalur në Kinë për shkak të rënies së valutës së këtij vendi – duke shkaktuar një sfidë të madhe në Azi.

Por më pas gjithçka ndryshoi, kërkesat u rritën dukshëm për kompanitë në SHBA, Evropë edhe Amerikën e Jugut – madje thuhet se punonjësit nuk mund të mbulonin dhe përmbushnin kërkesat e shumta të klientëve.

Por kjo rritje ndodhi, pasi shumë vende u izoluan, qytetarët nuk mund të dilnin jashtë, kompanitë ndalën prodhimin – dhe kështu ato vende që nuk i kishin aplikuar këto masa të luftimit të pandemisë.

Gjithashtu rritja e blerjes u rrit për faktin se një pjesë kishin më shumë para të cilat i kishin kursyer për udhëtime e pushime – duke i shpenzuar tani ato në produkte të ndryshme që i porosisnin online.

“Brenga jonë më e madhe që aktualisht po ballafaqohemi është mungesa e anijeve transportuese – në veçanti të atyre gjigantëve që bartin kontejnerë me mallra nga e gjithë bota”, ka thënë Haupt nga Hapag Loyd.

Njëjtë është shprehur edhe Ralf Nagel nga shoqëria e anijeve transportuese në Gjermani, që theksoi se mungojnë anije për transportimin e mallrave. Në anën tjetër çmimet e këtyre shërbimeve janë rritur dukshëm nga fillimi i pandemisë COVID-19.

Çmimi për transportimin e mallrave sipas ekspertëve të fushës tani janë katër herë më të larta – krahasuar me një vit më parë, ka theksuar Haupt.

Kujtojmë që në dhjetor të vitit 2019 ishin regjistruar rastet e para me COVID-19 në Wuhan të Kinës, ku prej asaj kohe u përhap në mbarë botën – e miliona njerëz u infektuan dhe humbën jetën nga ky infeksion.

E sistemet shëndetësore në mbarë botën po ballafaqohen me kriza të mëdha siç është mungesa e personelit mjekësor, për faktin se shumë janë infektuar apo kanë humbur jetën nga coronavirusi.

Megjithatë ekspertët shëndetësorë janë optimist se me prodhimin dhe distribuimin e vaksinave kundër COVID-19, gjërat do të përmirësohen dhe njerëzimi do të mund t’i rikthehet normalitetit.

Por, mbetet të shihet shpejtësia dhe reagimi i zyrtarëve shëndetësorë që të dëshmojnë se sa milionë qytetarë do të mund t’i vaksinojnë brenda një muaji, me qëllim që të fitohet imuniteti kolektiv që do ta luftonte pandeminë e COVID-19.

Kreu i institutit për sëmundje ngjitëse në SHBA, Anthony Fauci, ka bërë thirrje që të vazhdohet bartja e maskës mbrojtëse për të luftuar coronavirusin apo të paktën të zvogëlojnë numrin e të infektuarve. /Telegrafi/