Projektligji për regjistrimin e popullsisë, familjeve dhe apartamenteve në Republikën e Maqedonisë së Veriut 2021, pas një procedure të shkurtuar, dje ishte në fokusin e partive. Deputetët filluan debatin për këtë projektligj dhe debati do të vazhdojë sot në mesditë, kur është caktuar vazhdimi i seancës së 29-të.
Ky projektligj u shpjegua nga zv. Ministri i Drejtësisë Agim Nuhiu, i cili tha se zgjidhja ligjore parashikon që regjistrimi të bëhet nga 1 deri më 22 prill të këtij viti, ndërsa ai do të përfshijë njerëz që punojnë jashtë vendit.
“Personat që punojnë jashtë vendit do të kryejnë regjistrimin vetë, me një aplikacion të veçantë, i cili do të instalohet në faqen e internetit të Entit Shtetëror të Statistikave, nga 1 mars deri më 21 prill 2021”, shpjegoi Nuhiu.
Ai theksoi se ligji parashikon 50 rajone të regjistrimit dhe secili prej tyre do të ketë një komision të posaçëm. Në të gjithë procesin, siç tha ai, do të respektohet përfaqësimi i drejtë në komisione, si dhe në përzgjedhjen e regjistruesve.
“Në kapitullin e katërt të ligjit, parashikohet që aktet e miratuara nga drejtori i Entit të Statistikave do të kenë efekt juridik nëse pranohen nga zëvendësi i tij. Kështu, nuk mund të ketë mashtrim mbi baza etnike”./Telegrafi/