Dekorimi i humbësve
Janë dy ngjarje kryesore që këto ditë karakterizuan zhvillimet politike në Qeveri. Megjithëse të dyja këto kanë të bëjnë për Qeverinë, ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra.
E para- është e hidhur dhe ka të bëjë me Ministrinë e Transportit, për të cilën u dhanë detaje tjera shtesë për dyshimet e shumëpërfolura në lidhje me korrupsion, dhe këto detaje bënë të ditur së ministri i Trasporit, Fatmir Limaj së bashku me shefin e prokurimit në këtë ministri, Nexhat Krasniqi, dyshohen për pesë vepra penale, të dënueshme me shumë vjet burgim.
Ende pa u dhënë këto detaje, ministri Limaj ka demantuar kategorikisht, disa herë me radhë, të gjitha akuzat që janë përfolur, duke u shprehur i gatshëm që të ballafaqohet me ligjin kurdoherë, ndërsa PDK-ja i ka siguruar një fond për mbrojtje, për të cilin fond, u kuptua tashmë, se s’mund të pyetët e s’bën të pyetet pse dhe si është bërë. Tashmë nuk mund të dihet se si do të përfundojë tërë kjo çështje, por, përkundër të gjitha demanteve, mund vetëm të thuhet se diçka me të vërtetë këtu po zihet.
Do të ndihesha shumë i gëzuar në qoftë se, Fatmir Limaj, sidomos -të dilte i pafajshëm në tërë këto akuza, për shkak se personalitetin e tij, sikurse shumë qytetarë tjerë e kam respektuar shumë. Dhe, pikërisht për shkak të respektit të madh ndaj Fatmir Limajt, ndërkaq, do të ndihesha shumë i pikëlluar nëse, edhe përkundër dëshirave tona, fondeve të PDK, dhe demanteve të vazhdueshme nga ministri në fjalë e zyrtarëve tjerë të lartë për këto akuza- më në fund, megjithatë, këto akuza të vërtetoheshin.
Që të dyja anët janë të mundshme, por vërtetimi i këtyre akuzave gjithsesi do të sillte një dëshpërim tejet të madh tek qytetarët, të cilët kanë shpresuar shumë pikërisht në ministrin Limaj. Vetëm pritja aq madhështore-aq dinjitoze, që i ishte bërë me rastin e kthimit triumfues nga Haga, do të duhej të pengonte çdo lloj keqpërdorimi a korrupsioni për Ministrin Limaj. Pikërisht për këtë arsye, përmbyllja e këtij procesi ka kuptim të madh.
Prandaj është shumë me rendësi akuzat për pesë vepra penale në Ministrinë e Transportit të sqarohen sa më parë dhe sa me mirë-me drejtësi të plotë, ndërsa ministri Limaj, le të shpresojmë të dal i pastër edhe në këtë proces. Zyrtarët tjerë të akuzuar në këtë rast nuk kanë aq rëndësi sa ka akuza për ministrin.
E dyta ngjarje, që karakterizoi zhvillimet qeveritare, ndërkaq është e lehtë dhe inkurajuese. Është përmbyllja e një procesi të gjatë e të lodhshëm që ka filluar diku që 7-8 muaj. Ndërrimet në Qeveri më në fund u kryen. Të iniciuara nga kryeministri Hashim Thaqi, ndërrimet që u quajtën më disa emra, herë si rifreskime, herë si konfigurime, herë si përforcime, Riformatizimi- emërtim ky i gabueshëm e i palogjikshëm-qesharak, më në fund u mbyll.
Ndoshta nuk do të ketë nevojë më në të ardhmen, që të hutohemi më këtë term të paqartë e të palogjikshëm, e shpresojmë të mos hutohemi më as për ndërrime tjera në kabinetin qeveritar, që mund t’i bëjë ndoshta prapë Kryeministri ani pse vazhdimisht na fliste e na flet për inkurajim në rezultate të punës nga të gjithë ministrat e tij që ai i ka emëruar. Duke pasur parasysh të kaluarën e afërt kur Kryeministri nga njëra anë i qonte në qiell ministrat e tij, duke i lavdëruar për punën që po bëjnë, e nga ana tjetër i bënte ‘riformatizim’ qeverisë, për t’i mbuluar kështu mangësitë dhe dobësitë e ministrave që lavdëronte, nuk mund të besohet megjithatë nuk do të ketë sërish nevojë për ‘riformatizime’ e korrigjime tjera.
Çka ngjau në të vërtetë, pas tërë këtij procesi të lodhshëm të ‘riformatizimit’ të famshëm. Ndërrimet që u bënë tash shkaktuan sërish huti, njësoj siç kishte shkaktuar huti edhe vendimi për ndërrime e para, në kohën kur thuhej se të gjithë ministrat ishin duke bërë punën më së miri dhe po tregonin suksese të larta. Paj, në qoftë se vërtet kanë qenë të suksesshëm e punëtor, nuk është dashur te merren në qafë ashtu e të hiqen nga detyrat. e nëse janë hequr megjithatë nga detyrat, nuk iu takon më të marrin poste në ministri.
Ngjau, diçka që nuk është marrë me mend se do të ngjaj, ministrat-sidomos ministrat që ishin caktuar nga radhët e PDK-së, të cilët humbën postet e tyre, si viktima të ‘riformatizimit’ sërish u (ri) kthyen triumfues-megjithëse me nga një gradë më pak- kësaj radhe vetëm si zëvendësministra. Ç’është kjo lojë në të vërtetë. Kjo lojë, shqip quhet: dekorim i humbësve. Pra, kështu Kryeministri ynë, i cili për ta qetësuar situatën tendencioze që i paraqitej me partnerin në koalicion (LDK)- e cila për pak sa nuk përfundoi me ‘shkurorëzim’, dhe për t’i heshtur zërat kritik në adresë të qeverisë së tij, i viktimizoi disa nga ministrat për të cilët më së paku mund të pritej se do të jenë viktima, i riktheu në pushtet sërish ministrat e dëbuar-jo të gjithë, por vetëm ata që i kishte nga radhët e partisë së tij.
Kështu pra, ministrat që vinin nga radhët e partisë së tij, por të cilët sapo i shkarkoi nga postet e i bëri humbës tash i dekoron dhe i rikthen nëpër poste ministrore-edhe pse ua ka ulur paksa gradat. Kështu dekoron Kryeministri ynë humbësit!
Nuk është e çuditshme megjithatë kjo lojë e Kryeministrit tonë, i cili në vend se ti shkarkonte ministrat e kritikuar atëherë, shkarkoi ministrat që më së paku pritej.
Kjo metodë e tij për të dekoruar humbësit, nuk është as e panjohur. Në të njëjtën metodë ai e pati bërë hiç më pak se zëvendës të vet, sapo ishte bërë Kryeministër, edhe Hajredin Kuçin i cili në zgjedhjet lokale të 2007, nuk arriti të merrte besimin as në qytetin e tij të lindjes-Pejë. Kështu e në këtë stil, Kryeministri ua ndau me krenari, edhe medaljet e posteve ministrore edhe Fatmir Limajt, që atëherë humbi garën për Prishtinë, duke i dhuruar hiç më pak se Ministrinë e Transportit. Kështu ia dhuroi edhe Ministrinë e Arsimit-dr. Enver Hoxhajt-i cili, humbi garën në Therandë më 2007, duke thënë me pietet se Ministrinë e Arsimit do ta udhëheqë kush tjetër pos dr. Enver Hoxhaj. 4
Kështu Kryeministri ynë, edhe këtë herë dekoron humbësit, duke e bërë hiç më pak së zëvendësministër të Administratës Publike Naim Fetahun, i cili kurrë nuk kishte arritur të fitonte besimin në komunën e tij-Podujevë, megjithëse disa herë kishte konkurruar për kryetar të kësaj komune.
Ndërkaq, humbësit e postit të ministrit-post të cilin para disa muajsh ua rrëmbeu me ‘riformatizim’ i rikthen tash në poste pak më të ulta-megjithatë i dekoron edhe Idriz Vehabin e Zenun Pajazitin, sado që kësaj here i ka shpërndarë në ministri tjera- e jo në aty ku ishin ministra!
Çudi, që dr. Arsim Bajramin nuk e ka dekoruar fare!
E pse nuk e ktheu (edhe) ndonjë ministër të viktimizuar me riformatizim nga radhët e LDK- së, së paku si zëvendësministër atëherë?!
Pse nuk e riktheu në skenën politike qoftë me gradë më të ulët, ndonjërin prej ish-ministrave të LDK-së: Alush Gashin, Nekibe Kelmendin a Valton Beqirin, që të tre këta më kompetencë të plotë për ministritë ku ishin -e u përjashtuan?!
Duke bërë kështu dekorata ndaj humbësve, nuk është prandaj çudi pse kaq shumë zëra kritik e kaq shumë akuza i bëhen qeverisë që drejton Kryeministri Hashim Thaçi.
















































