LAJMI I FUNDIT:

Deklarata e Nikolocit për Trepçën të thata dhe politike

Deklarata e Nikolocit për Trepçën  të thata dhe politike

Deklarata e Presidentit të Serbisë, Tomislav Nikolic se ka oferta nga disa investitorë amerikanë për të investuara në Trepçë, nga zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), janë cilësuar deklarata të thata politike që nuk do të kenë kurrfarë ndikimi në vazhdimin e punës së AKP-së.

Zëdhënësi i Agjencisë Ylli Kaloshi ka thënë për Telegrafin se AKP-ja ka ekskluzivitetin e privatizimit të pronës shoqërore në Kosovë, dhe ky mandat buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Ligji i AKP-së të miratuar nga Kuvendi i Kosovës. “Trepça me të gjitha njësitë e veta është ndërmarrje shoqërore dhe bie në kompetencë e autoritetin administrativ të AKP-së. Trepça është një ndër subjektet më të rëndësishme komerciale në Kosovë, dhe rrjedhimisht është NSH-ja më e madhe dhe më komplekse nën mandatin e AKP-së”, ka thënë Kaloshi.

Ai ka bërë të ditur se aktualisht, AKP ka të shpallur afatin kohor për paraqitjen e kërkesave të atyre që e njohin veten si kreditorë të Trepçës dhe pas shqyrtimit të këtyre kërkesave do të identifikohen kreditorët. Ndërmarrja Trepça është në procesin e riorganizimit.

Telegrafi ka kontaktuar edhe me zyrtarë qeveritar por ata nuk kanë qenë në gjendje të komentojnë deklaratat e presidentit serb Nikolic. /Telegrafi/