LAJMI I FUNDIT:

Deda: Serbët tani plotësisht do të qeverisin me veten

Deda: Serbët tani plotësisht do të qeverisin me veten

Ilir Deda nga KIPRED dhe Vladimir Todoric nga Qendra për Politikë të re në Beograd, kanë diskutuar për emisionin “Most” të Radios Evropa e Lirë për marrëveshjen e arritur të premten e kaluar në Bruksel.

Todoric ka thënë se marrëveshja nuk e tejkalon Pakon e Ahtisaarit, sepse nuk parashikon kompetenca të reja nga ato që i kanë komunat.

“Për mua ky është vetëm një ‘zbukurim’ i Planit të Ahtisaarit i cili ka paraparë status të veçantë për bashkësinë serbe në veri të Kosovës. Bashkësia e komunave serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive e as kompetencat e saj burimore, por disa kompetenca në drejtësi. As emërimi i komandantëve të policisë nuk bëhet në nivel të bashkësisë por në nivel të komunave” ka thënë Todoric.


Ndërsa Ilir Deda ka thënë se marrëveshja nuk ka lidhje me Planin e Ahtisaarit, transmeton “Express”.

“Ky është fundi i ndërtimit të Kosovës si shoqëri multietnike dhe fillimi i një Kosove që funksionon në bazë të parimit etnik. Serbët tani plotësisht do të qeverisin me veten. Më duhet të them se kjo është një disfatë e BE-së dhe SHBA-ve. Plani çimenton ndarjen etnike dhe në implementimin e tij do të ketë probleme të mëdha”, ka thënë Deda.

Ndërkaq, Todoric ka thënë se Serbia i ka njohur ligjet e Kosovës. “Todoric në mënyrë implicite po. Pasi të nënshkruani marrëveshje ndërkombëtare kjo është njohje edhe pse në tekst thuhet se kjo është në pajtim me ligjin kushtetues”. /Telegrafi/