David Bodanis vjen për herë të parë në Kosovë. Autori i shumë librave bestseller, të shtunën në ora 17.00 promovon librin “Einstein’s Greatest Mistake”, në librarinë Dukagjini, Prishtinë.
David Bodanis ka lindur në Çikago, ka jetuar në Francë për një dekadë, dhe jeton në Londër.
Ai studioi matematikë, fizikë dhe historinë në Universitetin e Çikagos. Ai është i hipnotizuar nga tregimet historike, dhe fuqia e ideve.
Si një shkrimtar, ai është autor i librave si bestselleri “The Secret House” (1986); E = mc2 (2001), i cili ka qenë i përkthyer në 28 gjuhë, dhe i cili është shndërruar edhe në dokumentar; “ELECTRIC UNIVERSE” (2006); “PASSIONATE MINDS” (2007). Punimi i tij i fundit është “EINSTEIN’S GREATEST MISTAKE” (gabimi më i madh i Ajnshtajnit). Si këshilltar futurist dhe i biznesit, ai ka punuar për njësinë “Royal Dutch Shell Scenario Prediction”, modelimin e së ardhmes ekonomike, si dhe për njësinë e planifikimit të së ardhmes në Forumin Ekonomik Botëror.
Ai ka qenë një drejtues i popullarizuar në konferencat e TED dhe në Davos.
Ai ka botuar në Financial Times, The Guardian dhe New York Times, dhe u shfaq në Newsnight, Start the Week, dhe programe të tjera. /Telegrafi/