Në fakt, përveç tribunës D1, ku të gjithë kishin ngjyrat e Kombëtares dhe qeleshe në kokë, qindra të tjerë u shpërndanë në tribunat qendrore, “të kamufluar” mes danezëve. Pavarësisht se shumë prej mbështetësve të përfaqësueses së De Biazit u kthyen nga policia, për shkak të biletave, ata e gjetën mundësinë për t’u rifutur në impiantin “Telia Park”.

Po si ia dolën? Në fillim, ata nuk u lejuan pasi kishin blerë bileta në vendet e programuara për tifozët vendës, çka ishte ndaluar prej Federatës së Danimarkës. Por arsyeja që ranë lehtësisht në sy ishte fakti se kishin veshur fanella të Shqipërisë, apo mbanin qeleshe në kokë. Pasi u ndaluan të futeshin, një grup vendosi të hiqte veshjet me simbole dhe të provonin të futeshin me veshje të thjeshta. Kjo funksionoi pasi prej fluksit të madh të atyre që po hynin në stadium, ishte e pamundur verifikimi i emrit të biletës, me kartë identiteti, shkruan "Panorama Sport".


Si rrjedhim, qindra të tjerë pasuan me të njëjtin version “kamuflimi” dhe arritën të shkonin për të parë ndeshjen. Kjo ishte edhe arsyeja që në tribunën ballore me stolat e Kombëtareve, qindra karrige që ishin bosh deri në minutën e pestë të fillimit të takimit, u mbushën për pak momente.

Incidenti – Në pjesën e parë, një pjesë e ultrasve shqiptarë që ndodheshin në tribunën D1, pas portës, u acaruan me një grupim danezësh që ndodheshin sipër tyre, në tribunën VIP. Ndonëse kjo zonë ishte e mbuluar me xhama, dikush prej vendësve hodhi një gotë birre drejt tribunës që ishte e mbushur nga tifozët shqiptarë.

Kaq mjaftoi që këta të fundit të reagonin menjëherë, duke goditur me grushte murin që i ndante për disa minuta me radhë. Për fat të mirë, situata nuk u acarua më tej dhe u qetë- sua duke e lënë në harresë “provokimin” e danezëve. De Biazi – Rasti i shpërdoruar nga Roshi është përjetuar me të vërtetë shumë nga trajneri i Kombëtares. Duke qenë se bëhej fjalë për një mundësi që i jepte tri pikët skuadrës dhe afronte ndjeshëm kualifikimin në “Francë 2016″, shumë emocional ishte edhe reagimi i teknikut kuqezi.

Ai nisi të bërtiste dhe të godiste fushën në formë inati me lojtarin, duke qenë se ishte një rast që duhej të ishte finalizuar më mirë. Gjithsesi, zemërimi i zgjati shumë pak, pasi pas vërshëllimës së fundit të bilbilit, shkoi dhe i përgë- zoi të tijtë.

Takimi – Trajneri i Shqipërisë qëndroi shumë pak minuta në dhomat e zhveshjes dhe më pas u takua me presidentin Duka. Vihej re qartë që ishte një takim i përzemërt dhe kreu i institucionit dukej mjaft i kënaqur me rezultatin. Për disa minuta ata bashkëbiseduan për ndeshjen dhe sidomos mbi lëvizjet taktike të futbollistëve. De Biazi po i shpjegonte momentet e vështira, por edhe zgjedhjet që kishin rezultuar shumë efikase për të zbehur forcën e kundërshtarit.

“Maratona” – Përfundimi i takimit u shoqërua me festime në afërsi të stadiumit nga ana e tifozëve shqiptarë që kishin udhëtuar drejt Danimarkës. Pas largimit të autobusit të Kombëtares, ata nisën të kërkonin taksi për të shkuar në zonën qendrore “Centrum” të Kopenhagenit, ose në hotelet respektive. Por ky rezultoi një mision i vështirë për shumicën prej tyre. Duke qenë se ishte e premte dhe kishte një fluks të madh kërkesash për taksi, ato mund të rezervoheshin vetëm me telefon. Në pamundësi për ta bërë një gjë të tillë, me qindra u nisën në këmbë. Për disa u desh të bënin edhe 7-8 kilometra.

telegrafi sport app