LAJMI I FUNDIT:

Covid-19 apo sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi i ri

Covid-19 apo sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi i ri

COVID-19 është emri i sëmundjes që e shkakton koronavirusi i ri. Është shkurtesë për coronavirus disease 2019 që në shqip do të thotë sëmundja e koronavirusit 2019

Ass. Dr. Besim Morina
Specialist i Mjekësisë interne dhe Pulmologjisë
Poliklinika EndoCLINIC
044 660 900


Çka është COVID-19?

Koronavirusët (CoV) janë një familje e madhe e virusëve, ata mund të shkaktojnë sëmundje të ndryshme duke filluar ato më të lehtat si ftohja e zakonshme e deri te sëmundjet më serioze siç është Sindroma respiratore akute e rëndë (SARS-CoV).

Pikërisht koronavirusët kanë qenë përgjegjës edhe për epideminë e vitit 2003 të SARS me ҫrast kanë vdekur rreth 8000 persona.

Koronavirusi i ri 2019 (2019-nCoV) është një forme e re e koronavirusit që nuk është parë tek njerëzit më herët.

Burim i këtij virusi kanë qenë lakuriqët, kurse te njerzit ky lloj i virusit për herë të parë u paraqit në dhjetor të vitit të kaluar në tregun e qytetit në Wuhan të Kinës, i cili është një treg me shumicë për ushqime deti dhe kafshë të gjalla. Aty mendohet që fillimisht të ketë qenë rasti i parë i kalimit të virusit nga kafsha te njeriu, dhe pastaj nga njeriu në njeri.

Virusi tani është përhapur në disa zona në të gjithë Kinën, si dhe në shumë vende të Azisë, Amerikës së Veriut, Evropës, Afrikës dhe Oqeanisë. Momentalisht, vende me numër më të madh të të infektuarve janë Kina, Korea e jugut, Italia dhe Irani.

Çfarë kuptimi kanë emrat e ndryshëm që po përdoren?

Janë duke qarkulluar emërtime të ndryshme që lidhen me koronavirusin e ri. Më poshtë i kemi renditur disa nga këta emra dhe kuptimin që kanë.

COVID-19 – është emri i sëmundjes që e shkakton koronavirusi i ri. Është shkurtesë për coronavirus disease 2019 (sëmundja e koronavirusit 2019).

Koronavirusi i ri 2019 (anglisht Novel corona virus 2019) (nCoV-19) – është emri i virusit i cili është një formë e re e koronavirusit që është paraqitur për here të parë në vitin 2019.

Koronavirusi – shpesh virusi emërtohet vetëm si koronavirus. Kjo nuk është e pasaktë, pasi virusi qe po flasim është vetëm një formë e re e koronavirusit.

Simptomat

Te shumica e personave të infektuar, sëmundja shfaqet në një formë të lehtë, duke filluar nga forma pa simptoma fare, ne ato raste me simptoma te lehta.

Simptomat më të shpeshta të COVID-19 janë ethet, lodhja dhe kolla e thatë. Disa persona mund të kenë edhe dhimbje të trupit, mbyllje e rrjedhje të hundës, dhimbje të fytit apo edhe barkqitje.

Në 16% të rasteve të të infektuarve, sëmundja është serioze. Ajo mund të shfaqet me pneumoni të dyanshme (pezmatim i mushkërive), gjendje septike, sindromë të distresit respirator apo humbje të funksionit të veshkave.

Rrezikun më të madh për zhvillimin e sëmundjes serioze të COVID-19 e kanë të moshuarit si dhe personat e të gjitha moshave të cilët vuajnë nga sëmundje të zemrës, të mushkërive, të veshkave apo diabetit.

Çka mund të bëjmë në mënyrë që të zvogëlojmë mundësinë e marrjes së COVID-19?

• Mos e prek gojën, hundën apo sytë me duar të papastruara
• Mundohuni ta evitoni kontaktin me personat që janë të sëmurë
• Mbuloje gojën dhe fytyrën me një leckë të letrës të cilën pastaj hidhe në mbeturina, dhe
• Laji duart mirë pas prekjes së sipërfaqeve të cilat mund të jenë të kontaminuara

Mënyra e duhur e larjes së duarve

• Të lagen duart nën ujin që rrjedh,
• Hidhe sapunin në duar,
• Fërkoji duart mirë për afër 15 sekonda, sigurohu që i ke larë me sapun të gjitha pjesët e duarve përfshi majat e gishtave, rreth thonjve, në mes të gishtave, pjesën e pasme të duarve si dhe kyçet e duarve,
• Shpërlaji duart nën ujin që rrjedh,
• Merre një letër higjienike apo facoletë letre dhe me të mbylle rubinetin në mënyrë që të mos i kontaminojmë duart prapë, dhe
• Thaji duart me një letër higjienike njëpërdorimshme apo me tharës ajror të duarve (të mos preket tharësi).

Mënyra e duhur e përdorimit të alkoolit në formë xheli për duar

• Hidhe një apo dy spërkatje të xhelit (dezinfektuesit) në të dy duart
• Fërkoji duart mirë të gjitha pjesët e duarve përfshi majat e gishtave, rreth thonjve, në mes të gishtave, pjesën e pasme të duarve dhe kyçet e duarve dhe
• Lëre xhelin (dezinfektuesin) të thahet. Kjo zgjat afër 20-30 sekonda. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori