LAJMI I FUNDIT:

Çka po bën Dogana?

Çka po bën Dogana?

Importuesit e telefonave mobilë ankohen se Dogana e Kosovës nuk po ua pranon faturat e shitjes së telefonave, duke ua caktuar vetë çmimet. Kjo formë, sipas tyre, po bëhet shkel e shko dhe po ndikon të rriten çmimet e telefonave në tregun vendor. Në dogana i mohojnë këto akuza.

Një telefon i markës iPhone në tregun vendor kushton mesatarisht rreth 600 euro. Por, ky çmim do të ishte më i lirë sikur Doganat e Kosovës t’ua pranonin faturat e shitjes importuesve të telefonave mobilë.

Fatbardh Ajvazi, menaxher i importeve në Fmobile, tregon se ky institucion nuk po ua pranon faturat e shitjes së telefonave të vendeve prej nga i blejnë këto produkte.

Në vend të faturës, Ajvazi thotë se doganat çmimet e telefonave po i marrin në internet. Por, kjo mënyrë, thotë ai, po i dëmton importuesit seriozë, pasi çmimet e këtij produkti lëvizin çdo ditë dhe se dogana, sipas tij, nuk ka mekanizëm për ta përcjellë këtë trend.

“Çmimet e faturave që i kemi prej vendeve ku e importojmë mallin, Doganat e Kosovës, përkatësisht pika e aeroportit, nuk e merr për bazë faturën e shitësit. Mirëpo, për bazë e merr çmimin prej GSM Arenes në internet. Dhe normalisht bëhet ngritja e faturës të cilën ne e prezantojmë. Bëhet ngritja e faturës nga dogana për 10 deri në 20 për qind”, thotë Ajvazi për Express"

Importuesit thonë se çmimet e telefonave lëvizin sikurse në berzë dhe këto lëvizje duhet të përcjellin. Në të kundërtën, dëmtohen vetë konsumatorët, pasi caktimi i çmimeve nga doganat reflekton në çmimin zinxhiror deri të konsumatori.

Ajvazi si shembull për ketë ka marrë telefonin e markës Iphone.

“Në doganë çmimi i një telefoni Iphone pranohet për 500 euro, ndërkaq, blerja nga ne bëhet 400 euro. 110 euro ne duhet të paguajmë normalisht, por paguajmë 138 sepse dogana na e llogarit taksen në çmimin e saj prej 500 euro, e jo në atë të blerjes prej 400 euro”, tha Ajvazi. Kjo, sipas tij, i bie që paguhet 28 euro më shumë për copë.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë se dogana vlerësimin e mallrave e bazon në metodat ndërkombëtare të vlerësimit, të cilat aprovohen nga Organizata Botërore e Doganës.

“Kryesisht mbi 90 për qind të importeve te të gjitha mallrave pranohen vlera e deklaruar nga importuesi, pra metoda e parë apo e njohur si vlera e transaksionit”, ka thënë Stavileci.

Sa i përket rasti të importit të mobilave, Stavileci thotë se sipas informatave të prezantuara në procedurën e zhdoganimit, kompanitë nuk dorëzojnë dëshmi të mjaftueshme se një telefon ka po atë vlerë me të cilën pretendohet se janë blere.

“Kurse ne momentin kur kompania nuk prezanton dëshminë e nevojshme ashtu që dogana te pranojë vlerën, atëherë aplikohen metodat tjera të vlerësimit te cilat janë të aprovuara nga OBD”, ka thënë ai.

Por, Ajvazi thotë se me këtë formë të taksimit po stimulohet tregu i zi, që edhe ashtu për këto produkte vlerësohet të jetë i madh.

Për me tepër, kjo reflekton në çmimin e telefonave brenda vendit. Ajvazi deklaron se sikur dogana ta kishte pranuar faturën e importeve, edhe çmimet e telefonave në tregun vendor do të ishin më të lira.

“Kjo është edhe arsyeja pse ka pak import të telefonave. Po na dëmton shumë edhe konkurrenca jo e barabartë. Nga veriu kryesisht vijnë telefona në të zezën”, ka thënë Ajvazi, firma në të cilën punon importon telefona kryesisht nga Gjermania, Kina dhe Dubai. Ndryshe, sasia e telefonave të importuar gjatë një viti në Kosovë mesatarisht varion prej 50 mijë deri në 60 mijë copë.