LAJMI I FUNDIT:

“Çifti i Hapur” mirëpritet në festivalin “Skampa”

“Çifti i Hapur” mirëpritet në festivalin “Skampa”

Vetëm një muaj pasi që është dhënë premierë, shfaqja “Çifti i Hapur” i regjisores Elmaze Nura, ka arritur të bëhet pjesë e edicionit të sivjetmë të festivalit ndërkombëtarë të teatrit, “Skampa”, në Elbasan, përkrah emrave më prestigjioz të regjisë dhe teatrit.

Shfaqja është një komedi e realizuar në teatrin “Istref Begolli” në Pejë, në të cilën luajnë aktorët: Mentor Zymberaj, Teuta Sadiku, si dhe Edona Sopaj.

“’Çifti i Hapur’ është një komedi e mrekullueshme e fituesit të çmimit Nobel, Dario Fo, e cila ngrit çështjen e "martesave të hapura" apo "dashurive të lira", dhe është një rrëfim grotesk lidhur me martesat, ku pas një kohe, duke dashur që çiftet të jetojnë të lirë e sjellin lidhjen e tyre deri në kolaps”, ka përshkruar shfaqjen, regjisorja Nura.

Duke folur për reagimin e publikut karshi shfaqjes, regjisorja tha se, komedia është vlerësuar pozitivisht si nga publiku ashtu edhe nga kritika e festivalit.

Sipas saj, shfaqja ka arritur tërheqë edhe vëmendje të madhe mediale. Reagime pozitive kanë ardhur edhe nga artistë të huaj, e cila gjë, sipas saj, dëshmon se shfaqja “Çifti i Hapur” në sajë të interpretimit korrekt të aktorëve e rrëmbeu publikun në sallën e teatrit “Skampa”.

Nuk është vetëm ky festival ndërkombëtar në të cilin Nura ka marrë pjesë kohëve të fundit. Gjatë muajit tetor, ajo ka qenë pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Komedisë në Kumanovë, ku është prezantuar me shfaqjen, “Lisistrata”, shfaqje e cila gjithashtu është pritur shumë pozitivisht nga publiku. /Telegrafi/