LAJMI I FUNDIT:

CIA: Tito kishte lidhje në Tiranë me Haxhi Lleshin e Myslym Pezën

CIA: Tito kishte lidhje në Tiranë me Haxhi Lleshin e Myslym Pezën

Komunikimi i Zogut me shërbimet amerikane në vitin 1952 fokusohej në negociatat e ish-Mretit me Titon, liderin komunist të Jugosllavisë për të përmbysur regjimin e Tiranës. Në numrin e kaluar zbardhëm pjesën e parë të dokumentit sekret, të hartuar nga njëri prej oficerëve të lartë të Drejtorisë së Operacioneve Klandestine (OPC-CIA) që bën fjalë për misionin e të dërguarit personal të Zogut pranë oficerëve të lartë të UDB-së.

Pjesa në vijim e dokumentit të Shërbimit Sekret Amerikan, hartuar në tetor të vitit 1952, sjell disa të dhëna shumë interesante për të kuptuar sadopak prapaskenat që luheshin midis Zogut dhe Shërbimit Sekret Jugosllav. Dosja e ish-Mbretit, tashmë e deklasifikuar dhe në dispozicion të studiuesve të interesuar për periudhën e luftës së ftohtë, ka mjaft të dhëna interesante dhe të papritura të mëdha. Ashtu siç kemi vënë në dukje edhe në numrin e kaluar, ish-Mbreti Zog, i mërguar në Egjipt, papritmas, duke shfrytëzuar koniunkturat politike të kohës, kishte filluar kontaktet e fshehta me liderin komunist Tito.
Këto kontakte realizoheshin nga njerëz shumë të besuar të Zogut dhe mbaheshin nën kontrollin e rreptë të UDB-së dhe personalisht të gjeneralit famëkeq Rankoviç. Jugosllavia, e cila kishte prishur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe ndihej e izoluar nga blloku komunist lindor, dërgonte sinjale bashkëpunimi me amerikanët në fushën e shërbimeve sekrete. Një ndër këto sinjale ishte edhe informacioni që jugosllavet i kishin dhënë amerikanëve mbi tentativat e ish- Mbretit Zog për të komunikuar nëpërmjet kanaleve të besuara me Titon.

Amerikanët, të cilët po mbanin peshën kryesore të operacioneve klandestine kundër Shqipërisë, kërkonin me çdo kusht rezultate pozitive dhe duket se propozimet e jugosllavëve për bashkëpunim kundër regjimit të Hoxhës i kanë pranuar pa mëdyshje. Megjithëse nga disa memorandume të takimeve midis dy shërbimeve, duket se amerikanët kanë qenë të kujdesshëm për t’i mbajtur jugosllavët në distancë nga planet e tyre operacionale.


Memorandum i datës 9 tetor është një dokument i detajuar i një interviste që Mbreti Zog ka pasur me një prej oficerëve të lartë të OPC, apo Zyra e Operacioneve Klandestine, e drejtuar nga Frank Wisner. Ky memorandum flet qartë mbi përpjekjet e Zogut për të negociuar një marrëveshje sa më të pranueshme me Titon, duke bërë të mundur marrjen e mbështetjes jugosllave për një ndërhyrje të armatosur në Shqipëri nga kufiri verior. Megjithatë, rrëfimi i Zogut në vetë të parë para zyrtarit të lartë amerikan nuk lë asnjë dyshim mbi vërtetësinë e fakteve që përmban ky dokument.

Nga dëshmia e Zogut del se përfaqësuesi i tij, Irfan bej Ohri, ka qenë shumë i kujdesshëm në bisedimet me oficerët e lartë të UDB-së jugosllave, për të mos lënë asnjë shteg keqkuptimesh mbi mënyrat e bashkëpunimit. Pa dyshim, faktet më interesante të dëshmisë së Zogut janë emrat e propozuar nga Shërbimi i Fshehtë Jugosllav për të bashkëpunuar në rrëzimin e regjimit të Hoxhës. Duke parë nivelin shumë të lartë të pjesëmarrësve në këto bisedime, kuptohet qartë se këto dëshmi janë pohime të cilat duhet të pranohen si fakte të rëndësishme për të kuptuar dinamiken e këtyre ngjarjeve. Ekspozimi i emrave të liderëve kryesorë të diasporës shqiptare si bashkëpunëtorë të UDB-së është një fakt shumë i rëndësishëm që duhet trajtuar me shumë kujdes. Sakaq, dëshmia e Zogut se jugosllavët u kanë kërkuar bashkëpunim të paktën tre udhëheqësve nga më kryesorët në radhët e lidershipit komunist të regjimit të Tiranës, është një surprizë e madhe.

Emrat e Myslym Pezës, Haxhi Lleshit dhe Dali Ndreut në listën e Titos janë një dëshmi mjaft intriguese për të gjithë ata që nuk i kanë ndjekur me kujdes prapaskenat e zhvillimeve të lëvizjes komuniste gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Emrat e Pezës dhe Lleshit janë shumë të njohur për dokumentet e Shërbimit britanik SOE, të cilët kishin bërë të mundur financimin e tyre gjatë luftës. Megjithatë, pyetja nëse lista jugosllave është një listë e vërtetë apo një provokim kundrejt Mbretit Zog është mjaft legjitime. Duke pasur parasysh që ky dokument ka qenë tepër sekret dhe i destinuar për drejtuesin e OPC, autenticiteti i tij nuk mund të vihet në diskutim, por mundësia e një provokimi ndaj Zogut nuk ka përse të mos merret në konsideratë. Pjesa në vijim e këtij memorandumi, që do ta zbulojmë në numrin e ardhshëm, do na njohë me fakte të reja mbi bashkëpunimin e ish- Mbretit Zog me Jugosllavinë e Titos.

Memorandumi

Subjekti: Biseda me Mbretin Zog më 8 tetor 1952

…Irfan Beu u shpjegoi jugosllavëve se as ai dhe as kolonel Dërhalla nuk ishin njerëz të politikës dhe qëllimi kryesor i kësaj vizitë ishte fakti që, nëse ishte e mundur për jugosllavët, të dërgonin një person për të folur direkt me Mbretin Zog. Koloneli Branko u përgjigj se jugosllavët do të dërgonin një person të përshtatshëm për të biseduar me Zogun në të ardhmen. Kur Irfan Beu sugjeroi mundësinë e hapjes së bisedimeve me ambasadorin jugosllav në Kajro, kolonel Branko u shpreh vendosmërisht se kjo nuk do të ndodhë. Nga këndvështrimi i Irfan Beut për mënyrën se si ky sugjerim nuk u pranua, ka shumë mundësi që jugosllavët nuk kanë besim tek ambasadori i tyre në Kajro, por nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë arsye të tjera për të menduar se ambasadori nuk është personi i duhur për të folur me Zogun.

-Koloneli Cedo nxori një listë me 40 emra dhe pasi ia tregoi Irfan Beut, e pyeti atë nëse Mbreti ishte i gatshëm “t’i pranonte këta njerëz”. Kur koloneli u pyet që ta sqaronte se çfarë nënkuptonte me fjalën “pranim”, atëherë ai tha se pyetja ishte nëse Mbreti do t’i falte këta njerëz dhe do të pranonte që ata t’i puthnin dorën. Irfan Beut nuk iu dha një kopje e kësaj liste, megjithatë pas leximit ai vuri re se kjo listë përmbante jo vetëm persona kyç të Komitetit të Prizrenit, i sponsorizuar nga jugosllavët si dhe një numër shqiptarësh serbofilë, por edhe një numër shqiptarësh që janë aktualisht në Shqipëri, përfshirë edhe 6 komunistë titistë, që janë aktualisht në regjimin e Hoxhës. Në mesin e këtyre të fundit ishte edhe një person i cili, sipas Irfan Beut, ishte gjeneral. Po kështu, kjo listë përmbante edhe emrat e shqiptarëve që janë aktualisht në emigracion, si Muharrem Bajraktari, Sait Kryeziu, Abaz Kupi dhe Gjon Markagjoni. Nga radha e komunistëve në këtë listë ishin Mulin Pera, Hadji Leshi dhe Dalip Nehu. (shënimi me shkrim dore në fund të dokumentit qartëson emrat e saktë të Myslym Pezës, Haxhi Lleshit dhe Dali Ndreut)

-Më tej, jugosllavët pyetën se çfarë do të bënte Mbreti Zog me Komitetin e Prizrenit, nëse ai do të udhëhiqte luftën për çlirim. Irfan Beu u përgjigj se edhe kjo ishte një çështje që duhej biseduar direkt me Mbretin, por megjithatë ai besonte se Mbreti ishte i gatshëm të bashkëpunonte me të gjitha grupet dhe organizatat që kërkonin të kontribuonin në këtë luftë.

Pastaj jugosllavët pyetën se çfarë do të bënte Mbreti me komitetin anglo-amerikan “Shqipëria e Lirë”, i cili është me bazë në Romë. Irfan Beu u përgjigj se ai ishte i sigurt se qëndrimi i Mbretit do të ishte ashtu si edhe për Komitetin e Prizrenit. /Panorama/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Vetëm edhe një ditë i hapur aplikimi për trajnimin

Vetëm edhe një ditë i hapur aplikimi për trajnimin "Mobile Journalism" në fushën e gazetarisë - në fund shpërblehen më të mirët

Komunat
Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare për Kosovën është disfatë historike për Serbinë?

Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare për Kosovën është disfatë historike për Serbinë?

Lajme
U raportua nga gruaja për dhunë, Inspektorati policor thotë se po e heton drejtorin kundër trafikimit me njerëz në Policinë e Kosovës

U raportua nga gruaja për dhunë, Inspektorati policor thotë se po e heton drejtorin kundër trafikimit me njerëz në Policinë e Kosovës

Elfije Boletini
Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, Kurti: Në këtë 11-vjetor shteti serb në Peshter të Sanxhakut do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë

Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, Kurti: Në këtë 11-vjetor shteti serb në Peshter të Sanxhakut do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë

Lajme
U gjuajtën me armë derisa ishin në veturë, detaje nga rasti që ndodhi në Prishtinë

U gjuajtën me armë derisa ishin në veturë, detaje nga rasti që ndodhi në Prishtinë

Kronika e Zezë
Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Siguri
Kalo në kategori