Emri i madh i muzikës elektronike, DJ Seth Troxler, ardhja e të cilit ishte paralajmëruar më herët, siç edhe pritej, ka shpërthyer totalisht në atmosferë mbrëmë në Zone Club.
Performanca e tij ishte pritur të zgjasë disa orë, mirëpo turma e mbledhur enkas për të në kryeqytet mbrëmë ka bërë që Troxler ta vazhdojë setin e tij për më shumë se 6 orë pandërprerë. Në Zone para pak kohësh thanë se ndeja me Troxler dhe DJ të tjerë të pranishëm ende është duke vazhduar.
Shumë nga të pranishmit këtë mbrëmje e kanë përshkruar si njërën ndër netët më të mira të muzikës në kryeqytet, madje disa duke e bërë krahasimin edhe me organizimet më të mira të muzikës elektronike që bëhen në Ibiza.Mbrëmë në Zone, në netët dhe serinë e muzikës elektronike, Seth Troxler është kalibër i madh i industrisë botërore të muzikës elektronike, dhe ekuivalent me Ricardo Villalobos e DJ Solomun, të cilët kanë performuar në Prishtinë, pas skenave të mëdha të festivaleve botërore si Coachella, Glastonbury apo Tomorrowland.
Troxler në Prishtinë arriti pas performancës në Mynih të Gjermanisë, përkatësisht festivalit të muzikës Fny Festival, ndërsa pas Prishtinës ai ka performanca në Paris, Tokio, Portugali, Zvicërr, SHBA dhe Britani të Madhe. Mirëpo në natën e Bajramit, më 1 shtator bashkë me Seth Troxler në Zone Club kanë performuar edhe Nappy G, Uran B., Noki, dhe dyshja e Secret 47. /Telegrafi/