LAJMI I FUNDIT:

Çfarë i bën coronavirusi organizmit tonë: Si ta dallojmë, si të mbrohemi, nga çka duhet të frikësohemi?

Çfarë i bën coronavirusi organizmit tonë: Si ta dallojmë, si të mbrohemi, nga çka duhet të frikësohemi?
Hamdi Ramadani, infektolog

Kutia e Pandorës është hapur dhe është koha e fundit që strukturat shoqërore, të cilat merren me këtë problem, të marrin të gjitha masat e mundshme aktive

Hamdi Ramadani, MD,PhD,Msc.PU
Infektolog
Tel. 044 137 050


Nuk e dimë sa do të zgjasë kjo situatë, mirëpo me siguri nuk do të përfundojë shpejt. Coronavirusi është sëmundje e re, simptomat ende janë temë e cila nuk është e hulumtuar në tërësi.

Kur virusi hyn në trupin e njeriut, ai sulmon sistemin në tërësi. Simptomat e para të infektimit me coronavirus, të cilat shfaqen 2-14 ditë pas ekspozimit janë: temperatura e lartë, dobësia, rraskapitja, hunda e mbyllur, por edhe rrjedhja e hundëve, kolla, teshtitja dhe sytë e lotuar, e gjithë ajo që pritet kur dikush e ka gripin. Simptomat e mëposhtme mund të shfaqen 2-14 ditë pas ekspozimit

Coronavirusi, para së gjithash, është i lidhur me rrugët respiratore dhe aty më parë manifestohet, pastaj shfaqet kolla.Virusi vetvetiu shkakton vireminë në gjithë organizmin, që do të thotë se sulmon të gjitha organet, duke filluar nga mushkëritë, veshkat, zemra dhe deri te organet e tretjes.

COVID-19 është i ngjashëm me gripin, i cili gjithashtu mund të jetë fatal për të sëmurët kronikë, por për dallim nga influenca shpejt përhapet, ndërkaq për shërim është e nevojshme një periudhë e gjatë.

Forma e rëndë shfaqet kur kemi distres të mushkërive dhe pneumoni të dyanshme, gjë që shfaqet edhe te gripi i zakonshëm, mirëpo COVID-19 dallohet sepse përhapet shpejt dhe duhet patjetër të trajtohet si sëmundje klasike karantine.

Ky virus bartet me shpejtësi të pabesueshme, për këtë shkak është me rëndësi të respektohen masat e distancës, sepse ai mbijeton vetëm nëse bartet nga një organizëm në tjetrin.

Ata të cilët nuk kanë sëmundje shoqëruese, të cilët kanë imunitet të mirë, organizmi i tyre më lehtë lufton.

Rrezikun më të madh për zhvillimin e sëmundjes serioze të COVID-19 e kanë të moshuarit si dhe personat e të gjitha moshave të cilët vuajnë nga sëmundje të zemrës, të mushkërive, të veshkave apo diabetit.

Pos të sëmurëve kronikë, në sulm janë edhe duhanpirësit të cilët tashmë kanë dëmtime për shkak të tymit të duhanit.

Të sëmurët kronikë, mund të jetojnë pak a shumë normalisht, duke punuar në disa masa jo specifike siç janë ushqimi i drejtë, marrja e më shumë mineraleve, vitaminave, antioksidantëve, gjumë të mjaftueshëm dhe, natyrisht, me ato masa jo specifike të mbrojtjes të cilat nënkuptojnë vrullin e epidemisë, që të shmangin takimet e mëdha dhe në atë mënyrë të bëjnë maksimumin se si të mbrohen nga infeksionet potenciale virusale.

Për të luftuar organizmi me virusin, më e rëndësishme është të reagohet me kohë, të shkohet te mjeku që në simptomat e para, sepse virusi jo vetëm që sulmon sistemin respirator, por ai është fatal edhe për gjithë organizmin, posaçërisht nëse tashmë ekzistojnë sëmundje të caktuara.

Cilat janë mundësitë aktuale të shërimit?

Kemi shumë paqartësi për këtë pandemi. COVID-19 është një sëmundje e re, e shkaktuar si një coronavirus i ri që nuk ka ekzistuar më parë. Viremia ende nuk është në literaturë mjaft e evidentuar.

Sëmundja vepron në tri forma: E lehtë, me pak simptoma ose të sëmurë të lehtë. 80% e këtyre rasteve mjekohen pa terapi specifike dhe nevojë për hospitalizim. Forma tjetër e sëmundjes është e rëndë dhe me vështirësi, e cila zgjatë. Këtu, 15% e rasteve mund të trajtohen edhe në spitale, varësisht nga rasti. Forma më e rëndë, është me 5% te rasteve, të cilët vendosen në oksigjen maskë ose dhe respirator. Nga ky grup, disa të sëmurë mund të vdesin nga komplikimet e coronavirusit dhe gjendjes shëndetësore të mëhershme.

Shërimi i kësaj sëmundjeje reduktohet në të ashtuquajturin shërim simptomatik, gjë që nënkupton që të ulet temperatura, të jepen ilaçe të cilat qetësojnë teshtitjen apo kollën, mirëmbahet gjendja sa më e mirë e të sëmurit.

Në rast që arrihet deri te dëmtimi i rëndë i mushkërive, nëse zvogëlohet frymëmarrja apo qarkullimi i oksigjenit deri në gjak, të sëmurët shërohen në njësitë e kujdesit intensiv, ku mund të bëhet frymëmarrja artificiale, me ndihmën e aparateve.

Tani për tani dihet që përqindja relativisht e lartë e të infektuarve nga sëmundja e rëndë e cila kërkon shërim në njësitë e kujdesit intensiv.

Fatkeqësisht, terapi specifike, në kuptimin e ilaçeve të cilat ndikojnë në këtë virus, nuk ekziston, siç nuk ekziston as vaksina.

Shkencëtarët tashmë janë duke eksperimentuar të gjitha llojet e ilaçeve. Prova të reja nga disa shtete konfirmojnë që kombinimi i hydroxychlorochine me Azithromycin, për disa ditë, janë trajtime efektive terapeutike

Në çfarë mënyre sëmundja mund të parandalohet?

Është e domosdoshme që, gjithmonë dhe të gjithë, t’u përmbahen masave themelore të mbrojtjes personale dhe ato janë: që të vihet dora e majtë në gojë kur teshtihet apo kollitet, sepse me të djathtën përshëndetemi; që të mos u ofrohemi të tjerëve afër fytyrës me rastin e bisedimit, si edhe të mos lejojmë që dikush neve të na ofrohet afër fytyrës, distanca e sigurt është më shumë se një metër; nëse i sëmur shkojmë në punë, duhet t’u themi kolegëve që të mos na qëndrojnë shumë afër, të lajmë gjithë dorën, jo vetëm gishtat.

Gjithmonë është më e rëndësishme të dimë që të sillemi drejt dhe të mbrojmë veten, në mënyrë që kështu t’i mbrojmë edhe të tjerët që i kemi afër vetes.

Jashtë nuk është e detyrueshme të bartim maskë, sepse njerëzit mbajnë distancën prej dy metrash, por barteni në hapësirë të mbyllur atje ku ka shumë njerëz.

Mos dilni nga shtëpia nëse nuk jeni të detyruar, ndërsa tani për tani harroni përshëndetjen me dorë, përqafimin dhe puthjen.

Kjo pandemi, po paraqet edhe problem nga aspekti i karantinës, sepse shumë qytetar nuk po i përmbahen udhëzimeve të mjekëve dhe atyre me masa emergjente.

Karantina zakonisht përcaktohet për periudhën e inkubacionit të sëmundjes ngjitëse. Dikush që është liruar nga karantina për COVID-19 nuk konsiderohet rrezik për përhapjen e virusit te të tjerët.

Duhet shpresuar se vendi ynë do të kalojë këtë pandemi me sa më pak të infektuar dhe sa më pak viktima. Krahasuar me vendet rreth nesh, situata është nën kontroll dhe trajtueshme.

Na presin ende sfida tutje pas pandemisë, sesi do të reflektojnë këta të sëmurë.

Coronavirusi – pa panik, por me kujdes dhe seriozitet!

Duke pasur parasysh që jemi në situatë të një sfide të jashtëzakonshme dhe në të cilën nuk na lejohet të bëjmë gabime, është shumë e rëndësishme të jemi të kujdesshëm se çka lexojmë, këshillat e kujt i dëgjojmë dhe cilat rekomandime zbatojmë.

Megjithatë, më së miri është që për çdo rast t’u përmbaheni të gjitha masave të mbrojtjes dhe vetizolimit.

Qytetar të dashur – Kujdes!
Lufta kundër coravirusit ende nuk ka përfunduar.
Respektoni udhëzimeve emergjente për shëndetin publik të CDC-së, OBSh-së, Institutit kombëtar
Ndiqni porositë që ju dikton situata, sepse kështu do të mbroni veten dhe të afërmit tuaj
Ju jeni ata që e keni në dorë masën parandaluese dhe mbrojtëse
Besojuni shërbyesve mjekësor dhe institucioneve
Pranoni thirrjen time si ekspert infektolog që të ndryshoni sjellje dhe qasje ndaj kësaj situate menjëherë, kështu shpëtojmë shumë jetë
Durim edhe disa ditë… dhe do t’ia dalim

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori