LAJMI I FUNDIT:

Buxheti 2013, do të rrit pagat

Buxheti 2013, do të rrit pagat

Pas miratimit të djeshëm të buxhetit të Kosovës për vitin 2013, kryeministri i Hasshim Thaçi ka thënë se ky është buxheti më i lartë në historinë e Kosovës, që parasheh një zhvillim ekonomik, rritje të mirëqenies sociale si dhe ngritjen e pagave për kategori të ndryshme. Gjithashtu ai ka përmendur edhe ndërtimin e autostradave që do të bëhen me këtë buxhet. Ndërkohë as sot në mbledhjen e Qeverisë nuk është miratuar Projektligji për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës, ndërkohë është miratuar ai për investimet e huaja.

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar të mbajtur të premten, kryeministri i Thaçi ka falënderuar ministrin e Financave dhe deputetët e maxhorancës për kontributin e dhënë në miratimin e buxhetit.

Ai edhe njëherë ka ripërsëritur me këtë buxhet parashihet rritja e mirëqenies sociale, si dhe ngritja e pagave për kategori të ndryshme, duke i cekur se për cilat kategori bëhet fjalë. “Është buxheti më i lartë në historinë e Kosovës, është një buxhet i zhvillimit ekonomik, i vazhdimit të qeverisjes së mirë, i krijimit të vendeve të reja të punës, i synimeve tona të rritjes së mirëqenies sociale të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, që do të nënkuptonte në vazhdimësi rritje graduale të pagave për kategoritë e ndryshme të shoqërisë kosovare”, theksoi kryeministri Thaçi.
Po ashtu ai tha se me këtë buxhet përfshihen edhe projekte jashtëzakonisht të rëndësishme infrastrukturore, siç është vazhdimi i ndërtimit të autostradës së kombit “Ibrahim Rugova” nga Aeroporti i Prishtinës në drejtim të Besisë, ku edhe janë ndarë mjetet për vazhdimin e punës.

Gjithashtu kryeministri ka thënë se është krijuar buxhet i mjaftueshëm për fillimin e punimeve të autostradës tjetër që lidh Prishtinën-Ferizajn-Kaçanikun në drejtim të Shkupit.

Po ashtu ai ka thënë se janë siguruar mjetet e mjaftueshëm edhe për vazhdimin e zgjerimit të punimeve në magjistralet Prishtinë-Pejë, pra Gjurgjicë deri në Kijevë si dhe zgjerimit të punimeve nga Millosheva në drejtim të Vushtrrisë dhe Mitrovicës.

Ndërsa ka shtuar se shumë shpejt do të filloj studimi për zgjerimin e magjistrales që do të vazhdon nga Besia në drejtim të Besianës dhe në drejtim të Merdares. Ai ka thënë se janë dakord me Bashkimin Evropian për fillimin e ndërtimit të autostradës nga Besia në drejtim Gollak-Multivod në drejtim të Leskovcit, por siç ka thënë ai kjo nuk do të ndërtohet nga buxheti i Kosovës.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se me ligj të ri do të ketë mbrojtje të investitorëve të huaj dhe mos diskriminim të tyre. “Arsyeshmëria e ndryshimeve të propozuara është vendosja e një kornize ligjore e cila specifikon dhe ofron trajtim të barabartë investitorëve të huaj dhe investimeve të huaja të tyre në Kosovë. Kosova gjithashtu do të siguroj investitorëve të huaj dhe investimet e tyre mbrojtje dhe siguri të vazhdueshme, njëkohësisht ky projektligj ofron garancinë e nevojshme lidhur me mbrojtjen dhe mosdiskriminimin e investimeve të huaja”, tha ministrja Kusari – Lila.

Gjatë mbledhjes Qeveria është miratuar edhe propozim-vendimi përfundimtar për shpronësimet cilat preken nga ndërtimi i Rrugës Nacionale N9 Fushë Kosovë-Arllat-Gjurgjicë, Zonat Kadastrale, Arllat dhe Llapushnik të Komunës së Drenasit. /Telegrafi/