Romani "Bombë në Beograd" shkruar nga Albatros Rexhaj, shkrimtar nga Prishtina dhe botuar nga DUDAJ në Tiranë, është renditur i treti në Panairin e Librit në Prishtinë dhe vetëm pas dy javësh është ribotuar. Romani është shitur me sukses si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
Në një intervistë ekskluzive për portalin tonë, Albatrosi flet në më shumë detaje për rrëfimin prapa romanit.
Intervistoi Gazmend Kajtazi
Romani "Bombë në Beograd" është i zhanrit thriller. Pse u përcaktuat për këtë zhanër?
Thrilleri është një zhanër bashkëkohor i cili kultivohet në letërsinë perëndimore. Aktualisht është forma më e preferuar e të shkruarit në botë dhe mu për këtë unë kam dashur ta sprovojë veten në këtë frymë. Në një formë kam dashur ta dëshmojë se ky zhanër mund të kultivohet me sukses edhe në letërsinë shqipe. Duke marrë parasysh se unë jam shkolluar për dramë dhe skenar të filmit, nuk e kam pasur shumë të vështirë që ta ndërtojë arkitekturën e rrëfimit. Thrilleri në të vërtetë është prozë filmike ku ka shumë kthesa që e krijon ndjenjën e ankthit. Lexuesit më kanë thënë se e shohin tërë ngjarjen dhe e lexojnë me një frymë.
Në fillim shkruhet "Ngjarja është e imagjinuar por ngjashmëritë me persona dhe ngjarje konkrete janë të mundshme". Gjatë leximit e kam pasur përshtypjen se kam parë mjaft nga këto ngjashmëri. Personazhet nuk janë tërësisht edhe imagjinare!?
Keni të drejtë. Personazhet kryesore janë të bazuar në vija personaliteti që unë i kam huazuar nga personazhe reale nga koha e luftës. Personazhi kryesor Agroni mishëron në vete veti nga disa heronj real të luftës.
Të ndalemi pak këtu. Tani po flas si lexues. Te personazhi i Agronit, në fillim e kam parë Bekim Berishën, diku më është dukur se e kam parë Fatmir Limajn, Komandant Tonin, diku tjetër një tjetër. Qëndrojnë këto!
Unë nuk mund ta them këtë. Heroi im është Agroni. Emri Agron simbolizon udhëheqësin, mbretin, trimin, fisnikun, burrin e dashuruar, sakrificën etj. Referencat që i përmendni ju i takojnë lexuesit dhe jo mua që t’i emërojë. Unë besoj se në shumë skena, njerëzit do të emërojnë persona të caktuar por mua si artist nuk më takon ta bëjë këtë.
Megjithatë disa gjëra dihen. Në kapitullin e shtatë ju e përshkruani një skenë ku heroi juaj ngrihet nga istikamet dhe e prek tankun serb me dorë. Disa nga ne e dimë se kjo ngjarje ka ndodhur me të vërtetë dhe dihet edhe komandanti që e ka bërë këtë.
Ky detaj që ju e përshkruat është një ngjarje e vërtetë. Megjithatë, më duhet ta përsëris, këto krahasime unë ia lë lexuesit. Mendoj se kështu rrëfimi është më i kapshëm për të gjithë. Unë e kam shkruar një vepër artistike dhe jo një vepër historike. Në anën tjetër, Agroni, si personazh, i përmbledh disa persona real dhe imagjinar dhe për këtë unë rezervohem nga emërimi i tyre. Me rëndësi se ata që e lexojnë e njohin dikë dhe disa madje e gjejnë edhe veten.
Ajo që mua më ka lënë përshtypje shumë është përqendrimi në detaje. Përshkrimi i armëve, taktikave luftarake, taktikave të kundërzbulimit, përshkrimi i vendeve, përshkrime balistike, përshkrime nga teoria e qitjes etj. Pse tërë këto detaje?
Për ta bërë rrëfimin më të besueshëm. Të gjithë ata që e përcjellin letërsinë bashkëkohore e dinë se kjo është diçka shumë e rëndomtë. Shkrimtari duhet të jetë i saktë në rrëfim në mënyrë që lexuesi ta besojë atë rrëfim. Ne duhet të largohemi nga forma e të shkruarit me simbole dhe kode që nuk i kupton askush. Letërsia është art shumë konkret ku mesazhi duhet të fshihet para syve të të gjithë botës. Unë kam synuar që të shkruajë një vepër të kapshme dhe jo abstrakte.
Prej nga të gjitha ato informacione. Ato janë përshkrime tepër të sakta. P.sh në kapitullin pesë ju e përshkruani rrugëtimin e plumbit nga arma snajper. Kam konsultuar disa ekspertë dhe ata e kanë konfirmuar saktësinë e llogaritjeve.
Shkrimtari duhet të bëjë hulumtim serioz para se të shkruaj për diçka. Nuk mund të shkruash për diçka të cilën nuk e njeh qoftë nga përvoja personale qoftë nga hulumtimi. Mua më është dashur kohë e gjatë që ta pasurojë rrëfimin me këto detaje. Sidoqoftë me rëndësi është se këto detaje kanë zgjuar kureshtje dhe kjo nxit përfoljen. Të gjithë e dimë se përfolja është marketingu më i mirë. Skena që ju e përshkruani është shumë e rëndësishme sepse me anë të kësaj skene ku përshkruhet në mikrodetaje përdorimi i armës snajper Barret M82, lexuesi e fiton përshtypjen se personazhi, në këtë rast Linda, është me të vërtetë një mjeshtër i përdorimit të kësaj arme. Kjo e bënë personazhin më të besueshëm.
Ngjarja fillon në Dukagjin dhe përfundon në Dukagjin. Në ndërkohë zhvendoset në Ulqin, Bllacë të Suharekës, Malishevë, Suharekë, Qafë të Duhles, pjesërisht në Drenicë, Prizren, Prishtinë dhe në betejën e Rahovecit. Pse i ke përzgjedhur këto vende?
Përzgjedhja është tërësisht në funksion të idesë dhe është tërësisht e rastit. P.sh nëpërmjet Prizrenit e përshkruaj absurditetin e realitetit gjatë luftës, nëpërmjet Prishtinës e shpreh represionin e heshtur, nëpërmjet prologut dhe betejës së Rahovecit e shpreh brutalitetin e armikut etj.
Më së shumti më ka lënë përshtypje rrëfimi për shndërrimin e një bojleri në një mjet shpërthyes. Kjo po ashtu është një ngjarje reale.
E vërtetë. Bojleri është një nga të arriturat praktike të luftës. Mos të harrojmë se lufta ishte e pabarabartë dhe improvizimi ndonjëherë ishte forma e vetme për ta neutralizuar epërsinë në armatim që e kishin forcat serbe. Unë jam munduar që të jem sa më i thjeshtë në rrëfimin e kësaj ngjarjeje sepse e kam përshtypjen se vetëm nëpërmjet thjeshtësisë mund të tregohet gjenialiteti i atyre që e kanë bërë këtë vepër. Ky detaj, dhe të ngjashme si ky, nuk duhet të harrohen dhe ato duhet të jetësohen qoftë nga historia qoftë nga arti.
Një pjese e mirë e ngjarjes është në Ulqin. Përshkrimi i Ulqinit është shumë mbresëlënës. Kujdesi ndaj detajeve është i dukshëm tërë kohën. Pse në Ulqin?
Ulqini është qytet shqiptar pavarësisht se gjendet brenda kufijve të një shteti tjetër. Po ashtu e ka një rëndësi të veçantë edhe në historinë tonë si komb gjatë kohës së Rilindjes sonë kombëtare. Personalisht për mua është një vend ku më lindin idetë më të mira për të shkruar. Zhvendosja e ngjarjes atje bart shumë simbolika por në anën tjetër duhet ta pranojë edhe një detaj tjetër. Si i ri jam mahnitur me faktin se Cervantesi e ka përmendur në veprën e vet dhe disi jam ndikuar edhe nga kjo. Sido që të jetë kjo nuk është hera e fundit që Ulqini do të përmendet në veprat e mia.
Vrasja e Ostojiqit përshkruhet në prolog. Unë kam hulumtuar dhe e kam parë se ky personazh është një personazh real i cili vlerësohet shumë në Serbi. Ju e përshkruani në detaje vrasjen e tij në rreth të Junikut.
Nënkoloneli Ostojiq është vrarë me 25 korrik të vitit 1998 në rreth të Junikut. Në çastin e vrasjes e ka pasur gradën Major dhe gradën e nënkolonelit e ka marrë pas vrasjes. Ostojiqi ishte komandant i përgjithshëm i Brigadës më elite të ushtrisë serbe dhe vrasja e tij ishte goditja më e madhe për ushtrinë serbe në atë kohë. Madje thuhet se në çastin kur është vrarë Ostojiqi ka pasur edhe dezertime dhe refuzim të urdhrit nga shumë ushtarë dhe policë të Millosheviqit. Këtë ngjarje e kam zhvendosur pak më herët në kohë por referencat janë të qarta. Fatkeqësisht edhe kjo ngjarje ka kaluar në harresë.
Romani ka edhe skena erotike. Madje edhe skena të fuqishme. Romanca në mes të Agronit dhe Lindës është prezente gjatë tërë rrëfimit.
Po edhe heronjtë janë njerëz. Edhe ata kanë zemër dhe edhe ata ëndërrojnë për një jetë më të mirë. Këtë e bënë edhe Agroni. Ai mendon për atë se si një ditë lufta do të përfundojë dhe ai do të krijojë jetë normale dhe familje. Dashuria mbijeton në gjithçka. Madje edhe në situatat më absurde. Kjo është ajo që na bënë njerëz. Nëpërmjet kësaj unë kam dashur ta jap një mesazhin se për gjërat që ja vlen të jepet jeta, dy herë më shumë ja vlen të jetohet. Dikush duhet ta gëzojë lirinë përndryshe ajo nuk ka kuptim.
Por Agroni vritet. Unë jam ndarë i dëshpëruar me këtë fakt. Kam dashur që ai të mbijetojë. Vdekja e tij është e dhimbshme.
Agroni flijohet. Sikur Agroni të mbijetonte atëherë do të dilte se ne nuk kemi pasur dëshmorë. Agroni vritet por ideja e tij mbijeton nëpërmjet Lindës. Kam përshtypjen se ideja e Agronit do të jetë aktuale për një kohë të gjatë.
Linda është një femër luftëtare. Është e mençur, e shkathtë, e rrezikshme por mbi të gjitha është tepër e bukur. Ju i përshkruani edhe nishanet në fytyrën e saj.
Nëpërmjet Lindës, si figurë, unë e përshkruaj sakrificën dhe vendosmërinë e femrës shqiptarë në tërësi. Ajo është figurë arketip dhe në këtë unë i ndjek hapat e personazheve që zënë rrënjë deri te Rozafa dhe Teuta. Kur e kam ndërtuar si personazh unë e kam pasur në mendje një figurë konkrete dhe kjo e ka bërë më të lehtë përshkrimin. Për mua Linda është thelbi i fuqisë së Agronit dhe pa të rrëfimi nuk do të kishte kuptim. Me fjalë të tjera ajo është burim frymëzimi. Është muzë.
Pasi e përmendet, a ka nevojë shkrimtari për muzë? Muza është temë tabu te shkrimtarët shqiptarë?
Natyrisht se shkrimtari ka nevojë për frymëzim. Frymëzimi nuk vjen nga lulet dhe lumenjtë dhe simbolika tjera. Frymëzimi vjen nga interaksioni me njerëz. Megjithatë, duhet cekur se shkrimtarët shqiptarë me të drejtë rezervohen nga përmendja konkrete e Muzës sepse jetojmë një realitet ku gjërat keqkuptohen dhe më pas humb e gjithë magjia e frymëzimit. Njerëzit duhet ta kuptojmë se frymëzimi është proces shpirtëror dhe jo tërheqje fizike. Mendoj se do të duhet kohë derisa kjo tabu të tejkalohet.
Romani është botuar dhe ribotuar. Suksesi është i dukshëm edhe pse tani po kalojmë në një kohë krize ekonomike dhe librat janë shndërruar në luks. Ju gëzon ky fakt.
Po. Më gëzon fakti se romani po lexohet. Më gëzon fakti se romani është shitur shumë në Shqipëri. Mendoj se romani do të jetoj për një kohë të gjatë dhe do të zbulohet dhe rizbulohet vazhdimisht.
Jeni i kënaqur me veten. A do ta rishkruanit veprën?
Shkrimtari kurrë nuk është i kënaqur dhe gjithnjë gjen diçka që do të mund ta bënte ndryshe. Por unë besoj se diku i duhet vënë pikën dhe duhet mbyllur një kapitull për ta hapur një tjetër. Nga unë nuk do të dëgjoni deklarata snobe se jam i pakënaqur, duke e aktruar një modesti të rrejshme. Unë do të përpiqem që veprën e ardhshme ta bëjë më të mirë.
Romani është botuar nga DUDAJ në Tiranë. Pse e botuat në Shqipëri?
Sepse puna është më serioze dhe së dyti oferta ishte më e mirë. Mos të harrojmë se të gjithë jemi shqiptarë dhe shkëmbimi kulturor duhet të jetë i dyanshëm dhe jo vetëm në një drejtim. Unë i jam shumë mirënjohës shtëpisë DUDAJ për këtë hap të madh. E falënderoj zonjën Arlinda Dudaj, e cila ka besuar në mua që nga ditët e para, dhe redaktorin tim Sejdin Cekani, i cili është treguar shumë i durueshëm në menaxhimin e energjisë sime.
Cili është projekti juaj i ardhshëm? Ju shkruani çdo mbrëmje të bllogu juaj në Facebook. E kam parë se tani i keni mbi 37000 lexues në këtë bllog.
Do të botojë disa përmbledhje nga punimet e mia te “Filozofia Urbane” ndërsa para vitit të ri mendoj të dal me thrillerin tjetër ku do ta trajtojë një temë nga ditët e sotme. Ngjarja do të jetë e zhvendosur në disa shtete dhe mendoj se do të zgjojë kureshtje. Në ndërkohë, pavarësisht motit të nxehtë, do të shkruaj për çdo mbrëmje te “Filozofia urbane” në Facebook. Tani çdo të martë jam edhe në Radio UrbanFM, ndërsa çdo muaj do të jem prezent me një kolumne te revista Imedica. Shkrimtari duhet të jetë afër lexuesit dhe jo ta luajë rolin e personit të rëndësishëm dhe mendjemadh. Unë dua të jem afër lexuesve dhe vetëm kjo ka rëndësi.
/Telegrafi/