LAJMI I FUNDIT:

Bizneset startup përballë pandemisë COVID-19 në Kosovë (hulumtim dhe rekomandime)

Bizneset startup përballë pandemisë COVID-19 në Kosovë (hulumtim dhe rekomandime)

Innovation Centre Kosovo (ICK) fton Qeverinë e Republikës së Kosovës, Kuvendin,  institucionet e tjera vendore dhe donatorët, që të kenë në fokus edhe bizneset ekzistuese startup, si dhe të krijojnë mekanizma lehtësues për të ndihmuar ndërmarrësin në vend, gjatë kohës së pandemisë dhe pas saj.

Innovation Centre Kosovo (ICK), në bashkëpunim me kompaninë  hulumtuese “Pyper” kanë zhvilluar një pyetësor në lidhje me ndikimin e virusit COVID-19 në komunitetin e bizneseve startup në Kosovë, si dhe masave të nevojshme dhe emergjente të cilat duhet të ndërmerren me qëllim të mbështetjes së ndërmarrësve dhe bizneseve fillestare – startup.

Në këtë hulumtim morën pjesë 218 biznese të cilat operojnë në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në Kosovë, nga të cilat 65.6 %veprojnë në tregun vendor, 23.3 % në tregun ndërkombëtar e vendor, kurse 11 % vetëm në tregun ndërkombëtar.

Shumica e bizneseve pjesëmarrëse në hulumtim janë të vetëfinancuara dhe në fazë të hershme të zhvillimit, ku 57.7 % e tyre kanë prej 1-4 punëtor, thuhet në njoftim. Këto biznese mbulojnë fusha të ndryshme të sektorit të TIK, përfshirë e-commerce, marketing digjital, zhvillim i softuerit, siguri kibernetike, inteligjencë artificiale etj.

Sa i përket shqetësimit lidhur me gjendjen e krijuar si rezultat i përhapjes së COVID – 19, nga pyetësori i realizuar, 61 % e bizneseve startup janë shumë të shqetësuar me gjendjen ekonomike të krijuar si rezultat i pandemisë, 43.5 % e tyre vetëm se kanë hasur ndryshime në aktivitetin e tyre, ndërsa 30.2 % presin të ketë ndryshime në të ardhmen e biznesit.

Shqetësimi më i madh janë të hyrat, ku 74,53 % e bizneseve të anketuara kanë raportuar humbje të të ardhurave, ndërsa 47.8 % nuk kanë aftësi që të mbajnë punëtorët në listën e pagave. Po ashtu, 36 % kanë vështirësi emergjente për të paguar taksa apo tarifa të ngjashme qeveritare, kurse 32.1 % e tyre po planifikojnë të reduktojnë numrin e punëtorëve gjatë vitit 2020.

Si të ndihmojmë bizneset startup?

Pas identifikimit të problemeve për bizneset startup, fokusi është drejtuar tek mbështetja e duhur për të shpëtuar këto biznese. Nga 218 biznese qe i janë përgjigjur pyetësorit, 79.36 % mendojnë se një pako financiare dedikuar bizneseve startup do të ndihmonte për të tejkaluar situatën, 31 % parashtrojnë rëndësinë e lehtësirave fiskale dhe 42.2 % lehtësirat tatimore. Në këtë drejtim, 63.76 % e bizneseve mendojnë se ndihma financiare për pagat e punëtorëve do të ishte ndihma më e nevojshme për ta përballuar gjendjen e krijuar.

Si përfundim, të dalat nga ky pyetësor shfaqin jo vetëm shqetësim të theksuar, por edhe ndikimin që COVID-19 veçse e ka pasur në këto biznese, thekson ICK.

Bizneset e reja (startup) janë kritike për zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin e përgjithshëm social, duke sjellë inovacion në produkte e shërbime, përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve, kontribuojnë në zhvillimin e shkathtësive digjitale për të rinjtë si dhe krijojnë vende te reja të punës.

Duke e parë gjendjen socio-ekonomike të krijuar pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, Innovation Centre Kosovo, i bashkëngjitet shqetësimit të komunitetit të bizneseve startup, dhe si qendër e cila merret me promovimin e ndërmarrësisë, themelimin dhe ndihmën e bizneseve startup me theks sektorin e TIK, bënë thirrje që Qeveria e Kosovës, Kuvendit, institucionet tjera përgjegjëse dhe donatorët, të kenë një fokus të veçantë ndihmën drejtuar bizneseve të reja, por edhe gjetjen e mënyrave tjera për të stimuluar ndërmarrësin në vend, përgjatë periudhës së pandemisë dhe pas saj.

Si ICK kërkojnë nga Qeveria që në pakon stimuluese qeveritare të përfshihen edhe:

–  Ndihma direkte financiare për bizneset startup, për të përballuar krizën momentale, por dhe për të mundësuar zhvillimin e mëtutjeshëm të bizneseve te reja, post COVID-19. Kjo pako do të mund të përfshinte subvencione për paga, shpenzime operacionale, ndihmë në hapjen drejt tregjeve të reja ndërkombëtare, trajnime për ngritjen e aftësive të të rinjve fusha të reja digjitale dhe ndërlidhjen e tyre me tregun e punës etj.

–  Pako të lehtësirave fiskale dhe tatimore, të cilat do të lironin bizneset startup për një afat 2-vjeqar nga të gjitha obligimet tatimore, gjë që njëkohësisht do të stimulonte ndëmarrësin në vend.

Njëkohësisht, Innovation Centre Kosovo thekson se mbetet e zotuar që të ofrojë përkrahjen dhe ekspertizën e nevojshme, për Qeverinë e Kosovës, institucionet vendore dhe donatorët, për identifikimin e masave të duhura për biznese startup, por edhe të ofrojë rrjetin e partnerëve ndërkombëtar për të tejkaluar këtë sfidë.

Shkarko hulumtimin në gjuhën shqipe këtu. /Telegrafi/